Tre kandidatë për drejtimin e Gardës së Republikës
Gara për kreun e ri të Gardës së Republikës ka hyrë në një fazë të rëndësishme, me tre kandidatura të forta që kanë aplikuar pas hapjes zyrtare të procesit nga Ministria e Brendshme në muajin dhjetor.
Sipas informacioneve, eksperti i sigurisë Faik Basha, ish-deputeti i Partisë Socialiste Denis Deliu dhe drejtori aktual i komanduar i Gardës, Simon Zereci, janë tre emrat e parë që kanë dorëzuar aplikimet e tyre. Mes kandidatëve nuk mungojnë edhe emra që kanë punuar më parë në këtë institucion, si Vasil Çuni, por edhe oficerë që punojnë aktualisht në gardë.
Afati i fundit për aplikim ka përfunduar më 30 dhjetor 2025. Brenda 45 ditëve nga çelja e garës, komisioni i posaçëm i ngritur nga Ministria e Brendshme pritet të përzgjedhë drejtuesin e ri të këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë.
Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit më 3 qershor të vitit 2025, Gardën e Republikës e drejton si drejtor i komanduar oficeri i karrierës, Simon Zereci.
Kandidatët vijnë me profile të ndryshme profesionale:
- Faik Basha njihet si ekspert sigurie me përvojë në Forcat e Armatosura, Policinë e Burgjeve dhe drejtimin e strukturave të sigurisë publike dhe private, si dhe me kontribute analitike në media.
- Denis Deliu ka një karrierë të gjatë në forcat speciale, është trajnuar nga njësi elitare amerikane dhe ka shërbyer në Njësinë Speciale të Gardës, duke përfshirë eskortimin e Kryeministrit dhe Presidentit, si dhe në strukturat e vetingut.
- Simon Zereci ka mbi tre dekada eksperiencë në Gardën e Republikës, ka drejtuar Njësinë Speciale që prej vitit 2013 dhe ka ndjekur trajnime të specializuara brenda dhe jashtë vendit, duke u konsideruar një nga emrat më me përvojë brenda institucionit.
Procesi pritet të përmbyllet në javët në vijim, ndërsa gara shihet si një test i rëndësishëm për drejtimin e ardhshëm të Gardës së Republikës.
