“`html
31 të vdekur pas mbytjes së një varke me emigrantë në Gambi
Të paktën 31 emigrantë humbën jetën kur një varkë u përmbys pranë brigjeve të Gambias më 1 janar, ndërsa përpiqej të arrinte në Evropë. Qeveria e vendit afrikan deklaroi të hënën se “shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe ndoshta të vdekur”, duke rishikuar në mënyrë drastike numrin e viktimave.
Varka, e cila u nis për në det më 31 dhjetor me më shumë se 200 persona në bord, lundronte drejt Ishujve Kanarie të Spanjës. Kjo tragjedi ka tronditur thellë kombin e Afrikës Perëndimore, ku shumë individë përpiqen të arrijnë në Evropë duke ndjekur rrugën detare të rrezikshme të Oqeanit Atlantik.
Presidenti i Gambisë, Adama Barrow, e ka përshkruar vendin si të “zhytur në zi” pas kësaj ngjarjeje. Sipas bilancit më të fundit të qeverisë, 15 trupa janë gjetur në Gambi dhe 16 në Senegal, ndërsa shumë persona janë ende të zhdukur. Nga 102 persona të shpëtuar, 23 mbeten të shtruar në spital.
Shërbimi i Imigracionit në Gambi (GID) ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e sakta të kësaj katastrofe dhe për të identifikuar përgjegjësit.
Marina, e alarmuar nga një sinjal rreziku, nisi një operacion kërkim-shpëtimi rreth orës 01:00 të 1 janarit, duke përfshirë anijet e saj dhe një mjet peshkimi. Varka e mbytur u gjet dhe u nxorr nga deti në një plazh me rërë disa orë më vonë.
GID njoftoi gjithashtu arrestimin e 107 personave të dyshuar si migrantë të parregullt, kryesisht shtetas të Gambias, Senegalit dhe Guinesë.
Mijëra njerëz nga Afrika Perëndimore, veçanërisht të rinj, kërkojnë rrugë për të migruar në Evropë, duke ndjekur rrugën detare të Atlantikut me anije të mbingarkuara dhe në gjendje të keqe. Shumë prej tyre kanë humbur jetën në përpjekje të tilla.
Forcimi i kontrolleve detare në Senegal, Mauritani dhe Marok ka shtuar rreziqet, duke detyruar anijet migrante të transferohen në jug drejt Gambias dhe Guine-Konakrit, gjë që rrit kohën e nevojshme në det.
“`
