Zbulohet “shtëpi bari” në Vaun e Dejës, një i arrestuar, të tjerë në kërkim
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, dhe të mbështetura nga Forca Operacionale dhe njësia “Shqiponjat”, kanë finalizuar fazën e pestë të operacionit policor të koduar “Neonët 5”. Ky operacion synon evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjatë kontrollit të ambienteve, janë zbuluar dy ambiente (banesa) në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, të cilat ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike duke përdorur pajisje me llamba.
Në kuadër të operacionit, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Ç., 31 vjeç, banues në Shkodër. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasit:
- Gj. G., 46 vjeç
- L. G., 53 vjeç
- E. G., 43 vjeç
- M. G., 51 vjeç
Të gjithë këta të fundit rezultojnë banues në fshatin Barbullush.
Gjithashtu, janë ndaluar edhe tre punonjës të OSHEE-së, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën në bashkëpunim. Këta persona janë:
- F. H., 31 vjeç, banues në fshatin Ashtë
- A. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush
- Z. N., 27 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit
Në total, në kuadër të operacionit “Neonët 5”, numri i ambienteve të zbuluara dhe të goditura arrin në 9.
Gjatë kontrolleve në dy ambientet e zbuluara në fshatin Barbullush, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale:
- 583 bimë të dyshuara narkotike kanabis
- 7 kg e 490 gr kanabis
- 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike
- 3 celularë
Puna intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale vijon. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
