“`html
Qeveria rikthen Bordi i Transparencës për naftën, për të aktivizuar uljen e akcizës.
Pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të naftës dhe benzinës, qeveria ka miratuar vendimin për ringritjen e Bordit të Transparencës së karburanteve. Gjatë një konference për shtyp pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se arsyeja e ringritjes së bordit është për të aktivizuar masën e uljes së akcizës.
Për shkak të rritjes së çmimeve, më 3 prill, qeveria miratoi një Akt Normativ për uljen e akcizës me 20% nëse çmimi i naftës me pakicë kalonte nivelin 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër. Megjithatë, Ministria e Financave kishte shpjeguar më parë për “Monitor” se vendimmarrja për aplikimin e uljes së akcizës lidhej me funksionimin dhe vendimin e Bordit.
Pas stabilizimit të çmimeve për disa javë, Bordi i Transparencës nuk ka qenë funksional. Ministrja Ibrahimaj theksoi: “Është marrë vendimi për ringritjen e Bordit të Transparencës, i cili do të monitorojë çmimet e karburanteve. Tregu do të vijojë të mbahet nën monitorim dhe analizë, pa një afat të përcaktuar për mbylljen e Bordit. Vendimi për ringritjen e tij synon gjithashtu aktivizimin e uljes së akcizës për karburantet, në funksion të lehtësimit të çmimeve për konsumatorët”.
Megjithatë, formula e llogaritjes së çmimit të karburanteve nga Bordi i Transparencës është kundërshtuar nga importuesit e naftës. Ata argumentojnë se kjo metodologji po u shkakton humbje operatorëve, pasi çmimi llogaritet nën kosto. Operatorët kanë sqaruar se gjatë periudhës së funksionimit të Bordit të Transparencës, qeveria ka vijuar të përdorë të njëjtën metodologji të gabuar, duke kryer përllogaritjet në bazë të çmimit FOB (Free on Board), pa marrë parasysh koston e transportit dhe sigurimit. Në vend të kësaj, duhet të merret në konsideratë çmimi CIF, i cili përfshin transportin dhe sigurimin, duke shtuar kështu 45-50 dollarë për ton në çmimin e blerjes. (Që nga viti 2024, kompanitë e tregtimit ndërkombëtar nuk operojnë më mbi bazën e kontratave FOB, por CIF).
Ndërkohë, ndërsa çmimi i vendosur nga Bordi bazohej në treguesin FOB, doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi treguesin CIF. Kjo diferencë ka krijuar humbje për operatorët prej 4.7 lekë për litër. Për shkak të humbjeve nga llogaritja e çmimit nën kosto, 8 operatorë kërkojnë rreth 11.8 milionë euro dëmshpërblim.
Më 19 shtator, në Gjykatën Administrative pritet të zhvillohet seanca e parë për shqyrtimin e padisë së parë, ku secila padi operatori do të shqyrtohet individualisht. Ndërkohë, nga rritja e çmimeve të karburanteve, shteti ka arkëtuar 18 milionë euro më shumë të ardhura gjatë muajve mars-korrik, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”.
“`
