Berisha: Agasi ka përgjuar ambasadat, i ka dhënë informacion armiqve të NATO-s
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një denoncim të fortë, duke deklaruar se Ergys Agasi ka përgjuar ambasada dhe diplomatë të huaj në Shqipëri.
Po ashtu, Sali Berisha deklaroi se Agasi ka shpërndarë të dhëna sekrete të NATO-s, të cilat i ishin besuar shtetit shqiptar, duke i eksportuar te armiqtë e aleancës. Ai shtoi se informacione tepër sekrete janë shpërndarë edhe te kartelet e drogës dhe organizatat kriminale ndërkombëtare.
“Hetimi tregoi se Ergys Agasi, koordinatori i Edi Ramës, ishte mafiozi më i sofistikuar, më i rrezikshëm i Europës. Ishte kryemafiozi që kishte vjedhur të dhënat e çdo qytetari shqiptar për qëllime mafioze të familjes Rama. Është kryemafiozi që ka vjedhur të dhënat personale të shqiptarëve, që ka vënë në përgjim telefonat dhe kompjuterët e ambasadave në Shqipëri dhe përfaqësuesve të huaj në Shqipëri. Ka eksportuar tek armiqtë e NATO-s, të dhëna të NATO-s që i janë besuar Shqipërisë. Ka eksportuar të dhënat më sekrete tek kartelet e drogës dhe organizatat kriminale”, tha Sali Berisha në konferencë me gazetarët.
