Valë e re e të nxehtit, zjarrfikësit luftojnë me flakët në Spanjë; 750,000 hektarë të shkrumbuar
Spanja do të përballet me një valë të re të të nxehtit, duke filluar nga e mërkura dhe duke zgjatur të paktën deri të dielën. Autoritetet paralajmërojnë për një rrezik “ekstrem” të përhapjes së zjarreve në pyje.
Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës (Aemet) ka njoftuar se temperaturat e larta dhe erërat do të përkeqësojnë ndjeshëm situatën, duke e bërë edhe më të vështirë punën e ekipeve të emergjencës.
“Niveli i rrezikut do të vazhdojë të rritet, duke arritur nivele ekstreme,” thuhet në deklaratën e Aemet, e cila thekson se kushtet atmosferike do të favorizojnë përhapjen e flakëve.
Më herët, ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se dita e sotme dhe ajo e nesërme do të jenë “absolutisht vendimtare” për vënien nën kontroll të zjarreve që kanë përfshirë zonat pranë Madridit.
Një nga vatrat më problematike mbetet fronti “Western Sierra” në rajonin e Madridit, i cili ndodhet shumë pranë zjarrit të madh në Ávila, në rajonin fqinj të Castile-Leon. Sipas autoriteteve, vetëm këto dy zjarre kanë shkrumbuar rreth 75 mijë hektarë tokë brenda pak ditësh. Kjo sipërfaqe, rreth shtatë herë më e madhe se ajo e Parisit, e bën këtë një nga episodet më të rënda të zjarreve që ka përjetuar Spanja.
