PD i drejton kërkesë zyrtare qeverisë: Shpallni gjendjen e fatkeqësisë natyrore
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar qeverisë me një kërkesë zyrtare për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Gjithashtu, kërkohet një vlerësim i plotë dhe objektiv i dëmeve dhe kompensimi financiar për banorët e prekur.
Kërkesa e plotë:
Për disa ditë, rajone të caktuara të vendit, kryesisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, po vuajnë pasojat e rënda të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit. Këto fenomene kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, prona dhe biznese të qytetarëve.
Gjatë ditës së sotme, është raportuar gjithashtu humbja e jetës së një qytetari nga Durrësi si pasojë e këtyre ngjarjeve.
nga vlerësimi i përgjithshëm i situatës, rezulton se gjendja është e rëndë dhe se strukturat shtetërore nuk po veprojnë me kapacitet të plotë në të gjithë territorin e prekur, duke mos qenë pranë banorëve të prekur.
Sipas nenit 4 të ligjit nr. 45/2019, “Çdo person ka të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. 2. Në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të fatkeqësive të tjera, mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve kanë prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile”.
Gjithashtu, sipas nenit 41 të ligjit nr. 45/2019, shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Në rastet kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në këto kushte, deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojnë se janë përmbushur kushtet dhe rrethanat sipas ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158, datë 17.03.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura.
Është e pakuptueshme arsyeja se përse Këshilli i Ministrave nuk e ka ndërmarrë ende një procedurë të tillë, duke krijuar pasiguri tek qytetarët për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore.
Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të pamundësonte dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur nga kjo situatë dhe do të ishte një akt i rëndë papërgjegjshmërie institucionale.
Për këtë arsye, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 17 të ligjit nr. 45/2019, ku përcaktohet se “Kuvendi ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me mbrojtjen civile”, si dhe shkronjës “ç” të nenit 18, nenit 39, pika 1 dhe 41 të ligjit nr. 45/2019, kërkojmë:
- Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale, vetëm për qarqet e prekura nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, konkretisht qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
- Gjendja e emergjencës dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore të klasifikohet “për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, që kanë mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën”.
- Vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur, sipas të drejtës që i njeh neni 41 i ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Masa e dëmshpërblimit të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pa vonesa dhe të mbulohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
Deputetët e opozitës kërkojnë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile dhe nga Këshilli i Ministrave, zbatimin e menjëhershëm të ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158/2021 të Këshillit të Ministrave. Mosveprimi në kohë nga ana juaj, do të ishte një papërgjegjshmëri me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë.
Gjithashtu, në përputhje me shkronjën “d”, të nenit 18 të ligjit nr. 45/2019, kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë të marrë masat që Kuvendi të informohet menjëherë nga Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situatës.
