Korçë/ OSHEE: Rreth 2000 abonentë në zonat rurale janë pa furnizim me energji elektrike
Qarku i Korçës vazhdon të përballet me probleme në disa zona, si pasojë e reshjeve të shiut, dëborës dhe temperaturave të ulëta. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njofton se janë konstatuar probleme në linjat e tensionit të mesëm 10 kV, ku 11 fidera janë të stakuar, 8 prej tyre pjesërisht.
Aktualisht, 1995 abonentë në zonat rurale janë pa furnizim me energji elektrike, ndërsa zonat urbane nuk kanë pasur ndërprerje. Situata prek drejtoritë rajonale të Korçës, Maliqit, Pogradecit dhe Ersekës, ndërsa Bilishti nuk raporton probleme.
Furnizimi me energji për objektet me rëndësi të veçantë vazhdon normalisht dhe ekipet e OSHEE-së janë në gatishmëri për kryerjen e riparimeve.
Si pasojë e reshjeve të shiut, argjinatura e lumit Devoll është çarë, duke përmbytur rreth 3600 hektarë tokë bujqësore në fushën e Maliqit. Nga reshjet e borës nuk raportohen probleme madhore.
Aksi Qafë Plloçë–Qukës vijon të jetë i bllokuar për shkak të inerteve, ndërsa në fshatin Dardhas po punohet për krijimin e një rruge alternative (bypass). Rruga e fshatit Denas mbetet e bllokuar derisa të ulet niveli i ujit.
