Përmbytje Devoll, bllokim rrugësh dhe mungesë energjie

Çarja e argjinaturës së Devollit përmbyt tokat, bllokon aksin Qafë Plloçë-Qukës

Në Korçë, situata e krijuar nga reshjet e dëborës dhe përmbytjet përqendrohet në disa probleme kryesore:

  • Argjinatura e lumit Devoll vijon të jetë e çarë, duke bërë që rreth 3,600 hektarë tokë bujqësore në fushën e Maliqit të jenë të përmbytur.
  • Nga reshjet e borës nuk raportohen probleme të tjera.
  • Aksi rrugor Qafë Plloçë–Qukës mbetet i bllokuar dhe vijon puna për pastrimin e materialeve inerte.
  • Rruga në fshatin Denas vijon të jetë e bllokuar; do të ndërhyhet nga bashkia sapo të ulet niveli i ujit.
  • Vijon problemi me rrugën e Dardhasit, ku po punohet për ta bërë të kalueshme.
  • Si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu, është dëmtuar një banesë, e cila për momentin është e pabanueshme.
  • Në Maliq, ka përmbytje të tokave bujqësore në fshatin Velçan.
  • Rruga e fshatit Senisht është dëmtuar; një segment i saj është i batisur dhe aktualisht i pakalueshëm për mjete.
  • Në fshatin Dolan janë shënuar rrëshqitje dherash, si pasojë e të cilave rruga është e bllokuar. Gjithashtu, është dëmtuar rrjeti i ujësjellësit.
  • Probleme në qarkullim janë konstatuar edhe në rrugët e fshatrave Strelcë, Zvarisht dhe Lozhan Lartë, ku ka prezencë të dëborës dhe kalimi i mjeteve kryhet me vështirësi.
  • Është dëmtuar argjinatura e kanalit kryesor në fshatin Leminot, si dhe është shkatërruar plotësisht një urë.
  • Është dëmtuar segmenti rrugor Kakaç – Vërçun, ku për shkak të rrëshqitjeve të tokës është dëmtuar edhe ushqyesi i rezervuarit Vërçun – Podgorie.

Në aksin Ersekë–Leskovik, puna ka vijuar gjatë natës me kriposje për shkak të ngricave. Qarkullimi lejohet me goma dimërore dhe zinxhirë.

Situata në Maliq–kufiri me Gramshin paraqitet pa probleme; kontraktori ka vijuar me kriposje dhe qarkullimi është normal.

Në segmentet Korçë–Ersekë (km 3) dhe Zëmblak – Goricë e Bilisht – Miras (km 6), është vijuar me kriposje. Qarkullimi vijon me goma dimërore.

Në Boboshticë – Dardhë, ku gjatë natës janë regjistruar temperatura të ulëta, është kryer kriposja në të gjithë segmentin.

Janë evidentuar probleme në furnizimin me energji elektrike për shkak të situatës së shkaktuar nga reshjet e ditëve të fundit. Në linjat TM 10 kV janë 11 fidera të stakuar, prej të cilëve 8 pjesërisht. Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike në zonat urbane, ndërsa 1,995 abonentë ruralë rezultojnë pa furnizim me energji elektrike.

Situata prek drejtoritë rajonale Korçë, Maliq, Pogradec dhe Ersekë, ndërsa Bilishti nuk raporton probleme. Ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe janë në gatishmëri për riparimin e defekteve. Furnizimi me energji elektrike për objektet e rëndësisë së veçantë vijon normalisht.

Në njësitë Sterkanj, Dardushë, Nicë, Osnat dhe Lekas në Pogradec raportohen ndërprerje të energjisë elektrike.

Në Kolonjë ka ngrirje të rrugëve dhe strukturat e bashkisë po punojnë në terren.

Procesi mësimor ka filluar normalisht në shkollat e qyteteve Ersekë dhe Leskovik, ndërsa nuk ka filluar në fshatrat Shtikë, Starje, Mesiçkë dhe Qafëzez. Janë marrë masa për sigurimin e ngrohjes. Nuk ka probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Në fshatrat Maçurisht, Progër dhe Cangonj të Devollit, uji është tërhequr plotësisht, situata është normalizuar dhe nuk raportohen probleme të tjera.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse për ndërhyrje deri në normalizimin e gjendjes, garantimin e qarkullimit rrugor dhe rikthimin e shërbimeve bazë.

Scroll to Top