Zgjedhjet në Kosovë: PDK kërkoi pavlefshmërinë e votave me postë, kërkesa u hodh poshtë
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) njoftoi të premten vonë se e ka hedhur poshtë si të paafatshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
PDK, e cila doli e dyta në zgjedhje, kërkoi nga PZAP-ja të enjten t’i shpallë të pavlefshme votat në fjalë, duke argumentuar se ato ishin dërguar nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.
Në një njoftim të premten, PZAP-ja sqaroi se partia e udhëhequr nga Bedri Hamza bëri ankesë pas afatit të paraparë ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e saj, prandaj paneli nuk do ta shqyrtojë kërkesën.
“Paneli ka vlerësuar se ankesa është parashtruar pas afatit ligjor për paraqitjen e ankesës, sipas nenit 119, paragrafi 1 të Ligjit për Zgjedhjet (LZP), ku afati për dorëzimin e ankesës është 48 orë nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Ankesa është dorëzuar në PZAP më datë 08.01.2026, ndërsa shkelja e supozuar sipas ankuesit ka ndodhur me datat 02.01.2026 dhe 05.01.2026”, thuhet në njoftim.
PDK-ja ishte ankuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i pranoi rreth 20.000 fletëvotime më 2 dhe 5 janar, pra disa ditë pas afatit të lejuar ligjor për pranimin e votave të dërguara me postë nga jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00.
Ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se komisioni kishte pranuar rreth 20.000 fletëvotime të dërguara me postë nga mërgata më 2 dhe 5 janar.
Rreth 51.000 qytetarë të Kosovës në mërgatë ishin regjistruar për të votuar përmes postës në këto zgjedhje.
Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi shumicën dërrmuese të votave me postë, duke marrë 33.556 vota, ndërsa PDK-ja mori vetëm 4.611 vota.
Para fillimit të numërimit të votave me postë, PDK-ja ishte në rrugë për t’i fituar 23 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por pas numërimit ajo ka humbur një ulëse. Vetëvendosje, ndërkohë, ka fituar 57 ulëse dhe pritet ta themelojë qeverinë e re të vendit sapo të verifikohen rezultatet e zgjedhjeve.
KQZ-ja njoftoi të premten se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave dhe tani pritet të shpallë rezultatin përfundimtar. (REL)
