ZYRTARE: Silvinjo e bëri pjesë të Kombëtares, futbollisti transferohet në kampionatin ku luan shoku i tij
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Klisman Cake, është larguar nga KF Shkëndija e Tetovës për të nisur një aventurë të re në Rusi. Klubi tetovar bëri të ditur se palët i kanë dhënë fund bashkëpunimit katërvjeçar dhe Cake transferohet te skuadra e Akhmat Grozny.
26-vjeçari u grumbullua nga trajneri Sylvinho për ndeshjet e Kombëtares në tetor të vitit të kaluar. Në Rusi, Klisman Cake do të gjendet pranë shokut të tij të Kombëtares, Mirlind Dakun, i cili aktualisht luan për Rubin Kazan.
NJOFTIMI I PLOTË I KLUBIT:
Klisman Cake nis një aventurë të re në Rusi, pasi zyrtarisht transferohet te Akhmat Grozny. Të gjithë në KF Shkëndija i urojmë Cakes suksese në vazhdimin e karrierës.
KF Shkëndija dhe mbrojtësi Klisman Cake kanë përmbyllur marrëdhënien katërvjeçare, pasi klubi rus Akhmat Grozny ka aktivizuar klauzolën e largimit për futbollistin kuqezi. Duke respektuar dëshirën e lojtarit për të bërë një hap të mëtejshëm në karrierën e tij dhe për të provuar një sfidë të re ndërkombëtare, Shkëndija ka vendosur të bashkëpunojë për realizimin e këtij transferimi, duke përfituar një dëmshpërblim financiar.
Ky transferim vjen si pasojë e një korrektësie dhe besimi të ndërsjellë. Pas fitimit të titullit kampion, verën e kaluar, ai ishte lojtar i lirë dhe kishte mundësi të largohej pa asnjë përfitim për klubin, por zgjodhi të rinovonte edhe për një sezon tjetër, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin historik evropian të Shkëndijës. Sot, ai largohet duke i sjellë klubit, që i dha hapësirën dhe besimin, një përfitim.
Klisman Cake iu bashkua Shkëndijës në janar të vitit 2022 dhe për katër vite e pesë sezone jo të plota, ka qenë pjesë integrale e ekipit kuqezi. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi titullin kampion dhe regjistroi 133 paraqitje zyrtare (106 në kampionat, 3 në Kupë dhe 24 në arenën evropiane), duke shënuar 12 gola.
Cake do të mbetet përgjithmonë pjesë e gjeneratës historike të Shkëndijës që realizoi ëndrrën e kualifikimit në fazën kryesore të një kompeticioni evropian, konkretisht në UEFA Conference League.
KF Shkëndija falënderon Klisman Caken për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë ndër vite, duke i uruar shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij te Akhmat Grozny dhe më tej.
