Aeroporti i Vlorës/ Pacolli kërkon ndërhyrjen e Ballukut dhe ambasadës zviceriane
Shoqëria zvicerane MABCO Constructions SA i është drejtuar njëkohësisht qeverisë shqiptare, Ambasadës së Zvicrës dhe Bankës Kombëtare Tregtare, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e konfliktit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport SHPK. Sipas MABCO, ky konflikt ka çuar në bllokimin e aeroportit dhe në përmbysjen e hierarkisë së vendimmarrjes gjyqësore në Shqipëri.
Në një letër zyrtare drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në vëmendje të ministres Belinda Balluku, MABCO thekson se zotëron 98% të kuotave në Vlora International Airport (VIA) dhe se konflikti me ortakën minoritare 2A Group ka prodhuar pasoja të rënda, jo për shkak të veprimeve të saj, por për shkak të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Dokumenti sqaron se pezullimi i së drejtës së votës së MABCO “ka paralizuar në tërësi funksionimin operativ të VIA-s”, duke e bërë të pamundur përmbushjen e detyrimeve kontraktuale dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt projektin strategjik të aeroportit. MABCO i kërkon ministrisë ndërhyrje institucionale për garantimin e funksionimit normal të shoqërisë dhe thekson se “nuk ka asnjë qëllim për t’u tërhequr nga investimi, por përkundrazi është e vendosur ta çojë projektin deri në fund”, duke rikujtuar se ka investuar mbi 80 milionë euro.
Paralelisht, kompania i është drejtuar Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, duke kërkuar mbrojtje institucionale si investitor zviceran. Në letrën drejtuar ambasadores Ruth Huber, MABCO argumenton se vendimet e fundit gjyqësore përbëjnë “një shkelje të rëndë të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit Federal të Zvicrës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve”, pasi i heqin investitorit kontrollin efektiv dhe përfitimin ekonomik nga investimi. Kompania paralajmëron se situata aktuale “krijon rrezik serioz për zbatueshmërinë e projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës” dhe kërkon ndërhyrjen e ambasadës për respektimin e sigurisë juridike dhe trajtimit jodiskriminues të investitorëve zviceranë.
Letra e tretë i është dërguar Bankës Kombëtare Tregtare, ku MABCO i kërkon bankës që të mos marrë parasysh asnjë veprim apo vendimmarrje nga administratori i emëruar nga 2A Group, duke theksuar se ky emërim është produkt i një procesi të paligjshëm dhe i një asambleje të zhvilluar pa kuorum dhe në shkelje të vendimeve të Apelit. Në dokument theksohet se çdo veprim financiar i ndërmarrë në këto kushte “do të ishte i pavlefshëm dhe potencialisht i dëmshëm për sigurinë e financimit të projektit”.
Në të njëjtën kohë, MABCO, e cila më 23 dhjetor 2025 vendosi pezullimin e plotë të së drejtës së votës së ortakut shumicë, duke përfshirë edhe “çdo të drejtë që rrjedh nga zotërimi i kuotës”. Sipas MABCO-s, ky vendim ka rrëzuar në mënyrë faktike një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, i cili vetëm një ditë më parë kishte kufizuar masën e sigurimit vetëm për tjetërsimin e 47% të kuotave në konflikt, duke përmbysur kështu hierarkinë gjyqësore dhe parimin e sigurisë juridike.
Konflikti në VIA nisi në pranverën e vitit 2025, kur 2A Group, zotëruese e 2% të kuotave, pretendoi se i ishin kaluar edhe 47% të tjera nga MABCO përmes një kontrate që nuk është regjistruar në QKB dhe që MABCO e konsideron absolutisht të pavlefshme. Pas kësaj, një seri vendimesh të Gjykatës së Shkallës së Parë çuan në pezullimin e votës së ortakut shumicë dhe në paralizimin e shoqërisë koncesionare, duke bllokuar në praktikë punimet e Aeroportit të Vlorës.
Kryeministri Edi Rama, i cili e kishte paraqitur aeroportin si një nga investimet simbol të mandatit të tij dhe kishte premtuar përfundimin e shpejtë të tij, prej javësh nuk ka pasur asnjë reagim publik për bllokimin e punimeve dhe për konfliktin që po rrezikon seriozisht fatin e këtij investimi strategjik.
