Ministri Lamallari: Platformë e Re për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve

Divorc te noteri: Ministri i Drejtësisë flet për uljen e stokut të dosjeve

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka njoftuar se në muajt e ardhshëm do të prezantohet një platformë e re për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme përmes formave alternative, duke u bazuar në modelet më të mira europiane, pa qenë nevoja për t’iu drejtuar detyrimisht gjykatave. Kjo pritet të kontribuojë në uljen e numrit të lëndëve nëpër gjykata.

Në një intervistë për Arbër Hitaj në Radio Televizionin Shqiptar, Lamallari ilustroi rastin e një çifti që kërkon divorcin pa implikime financiare apo trashëgimtarë. Sipas tij, martesa të tilla mund të zgjidhen lehtësisht te noteri, duke shmangur kohën e gjatë, kostot financiare dhe stresin.

“Sot në Shqipëri, një çift që vendos të mos jetë më bashkë dhe kërkon të zgjidhë martesën, sipas kuadrit ligjor aktual dhe proceseve standarde tradicionale, duhet të shkojë në gjykatë. Nuk ka arsye për të zvarritur çështje të tilla, kurse në vende të tjera, zgjidhja e martesës kur nuk ka elementë financiarë apo trashëgimtarë bëhet edhe përmes noterit. Pra, është shprehje e vullnetit para përfaqësuesit ligjor. Kjo ishte për ilustrim, por ka shumë hapësira të tjera ligjore që duhen riparë në mënyrë që t’ua lehtësojmë jetën qytetarëve,” tha Lamallari.

Ai foli gjithashtu për përdorimin e formave të tjera alternative për zgjidhjen e çështjeve pa shkuar në gjykatë, siç janë ndërmjetësimi, arbitrazhi, apo pajtimi. Këto forma duhet të sugjerohen nga vetë gjykatat, gjë që, sipas tij, në Shqipëri pothuajse nuk është bërë deri më tani.

Lamallari përmendi mundësinë e përdorimit të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ose për të shmangur paraqitjen fizike në gjykata dhe prokurori për depozitimin e dokumenteve. Ai theksoi gjithashtu nevojën që institucionet e reja të drejtësisë të jenë në një nivel më të lartë përballë llogaridhënies karshi qytetarëve.

“Për ne është shumë e rëndësishme që një nga efektet e Reformës në Drejtësi të jetë edhe lehtësimi i jetës së qytetarëve, që të mos presin pafundësisht edhe për çështje krejt minore që të enden nëpër gjykata për vite të tëra. Ky është prioritet madhor i yni. Ne do të shfrytëzojmë çdo mekanizëm të mundshëm për adresimin e kësaj çështje, duke përfshirë mbështetjen për institucionet e reja të drejtësisë, të cilat në raport me llogaridhënien karshi qytetarëve duhet të japin shumë më tepër nga sa kanë dhënë deri më tani. Megjithatë, puna e mirë e bërë nuk do të na bëjë të kënaqur derisa të shohim që çështjet nuk zgjasin me vite të tëra në gjykatë, qofshin ato civile, penale apo administrative. Ne do të përdorim mekanizma të ndryshëm ligjorë, si me mbështetjen e vazhdueshme për kapacitetet e institucioneve të drejtësisë, ashtu edhe me numrin e ndihmësave ligjorë. Por, është shumë e rëndësishme për ne që kjo nuk duhet të shihet vetëm si çështje rritjeje pagash apo numri të ndihmësave. Kjo është çështje përkushtimi ndaj punës së përditshme dhe të qenit efektiv në trajtimin e ankesave apo padive të qytetarëve.”

Ministri shtoi se do të prezantohet një platformë që do të kërkojë miratimin e strategjisë kombëtare në nivel politik, por edhe rishikimin e nevojave për ndërhyrje ligjore, duke u bazuar në praktikat e vendeve më të mira të Bashkimit Europian, për adresimin e çështjeve dhe konflikteve mes palëve përmes mekanizmave alternativë si ndërmjetësimi, arbitrazhi, pajtimi, dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes formave hibride, duke përdorur edhe teknologjinë.

“Nuk ka arsye që një qytetar për të depozituar një dokument të thjeshtë të bëjë disa kilometra rrugë për në gjykatë ose prokurori, ndërkohë që ky mund të depozitohet edhe online. Ky është vetëm një aspekt, por sigurisht që deri në pjesën e shqyrtimit të çështjeve mundësisht pa shkuar fare në gjykatë, apo edhe për të shqyrtuar mundësinë e përdorimit të teknologjisë, përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale, pa hyrë fare në proceset gjyqësore,” deklaroi ministri Lamallari.

Scroll to Top