Pezeshkian për Fox News: Irani është i gatshëm të ulë pasurimin e uraniumit dhe t’i nënshtrohet inspektimeve ndërkombëtare
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka mohuar se Teherani synon të prodhojë armë bërthamore. Ai ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të ulë nivelin e pasurimit të uraniumit dhe t’i nënshtrohet verifikimit nga inspektorët ndërkombëtarë.
Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan Fox News, Pezeshkian theksoi se udhëheqësi suprem i Iranit e ka shpallur të paligjshme armën bërthamore përmes një dekreti fetar. Ai shtoi: “Jemi të gatshëm ta hollojmë uraniumin. Nuk është problem. Jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi verifikimit ndërkombëtar. Irani nuk dëshiron bombë bërthamore.”
Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe, Pezeshkian u ndal te memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në qershor me presidentin amerikan, Donald Trump, duke konfirmuar se Teherani dëshiron të vijojë dialogun mbi bazën e atij dokumenti. Ai rikujtoi se marrëveshja parashikonte një afat 60-ditor për arritjen e një pakti më të gjerë.
Megjithatë, presidenti iranian akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin për ndërprerjen e rrugës diplomatike dhe kalimin në sulme ushtarake. “Irani nuk kërkon të vrasë amerikanë, por do të mbrohet në rast se sulmohet,” tha ai.
Gjatë intervistës, Pezeshkian hodhi poshtë pretendimet se Teherani kontrollon drejtpërdrejt lëvizjen Huthi në Jemen. “Huthit janë përgjegjës për veprimet e tyre dhe nuk marrin urdhra nga ne,” u shpreh ai.
I pyetur mbi akuzat se Irani mund të ketë përdorur imazhe satelitore kineze gjatë sulmit ndaj një baze amerikane në Jordani, ku mbetën të vrarë tre ushtarë amerikanë, Pezeshkian deklaroi se nuk kishte informacion konkret për këtë çështje.
