Dogana suedeze në Helsingborg ka sekuestruar tre ton kokainë, një ngarkesë që mund të konsiderohet si kapja më e madhe e kokainës ndonjëherë në Suedi. Mediat e huaja raportojnë se droga u gjet në një kontenier që vinte nga një vend i Amerikës Latine.
Vlera e drogës së sekuestruar në tregun ilegal vlerësohet të jetë midis dy dhe tre miliardë krona suedeze.
Ky zhvillim vjen pak pasi policia spanjolle realizoi kapjen më të madhe të kokainës në det të hapur, duke ndaluar një anije që transportonte gati 10 tonë metrikë të drogës, e cila ishte fshehur në një dërgesë kripe nga Brazili drejt Europës.
Autoritetet dyshojnë se këto ngarkesa mund të jenë pjesë e të njëjtit zinxhir të trafikut global të kokainës, prandaj pritet që hetimet ndërkombëtare të bashkërendohen.
