Buxheti 2026 paguan fatura 2025: Deformim fiskal

Buxheti i vitit 2026 paguan miliona euro për faturat e vitit 2025

Dy javë pasi ka filluar viti, buxheti i shtetit vazhdon të kryejë pagesa për detyrimet e muajit dhjetor 2025. Të dhënat nga thesari i Ministrisë së Financave, të datës 7 dhjetor, tregojnë se janë bërë 380 milionë lekë (rreth 3 milionë euro) për fatura të datës 24 dhjetor dhe mbi 505 milionë lekë (rreth 5.5 milionë euro) për fatura të datës 31 dhjetor. Këto janë vetëm dy shembuj, pasi shumica e pagesave të thesarit në dy javët e para të janarit 2026 janë për fatura të dhjetorit 2025.

Ekspertët e financave sqarojnë se pagesa e faturave të dhjetorit në ditët e para të vitit pasardhës është e ligjshme. Sistemi buxhetor shqiptar funksionon kryesisht sipas parimit të parave të gatshme (cash), ku shpenzimet regjistrohen në momentin e pagesës dhe jo detyrimisht kur lind detyrimi. Për këtë arsye, një faturë për shërbime apo mallra të dhjetorit, por e paguar në janar, konsiderohet ligjërisht si shpenzim i vitit të ri.

Kjo praktikë, megjithëse nuk përbën shkelje të ligjit për menaxhimin e financave publike, deformon treguesit e një viti buxhetor dhe dëmton transparencën. Ajo bën që deficiti i vitit të kaluar të duket më i ulët, ndërsa barra reale e shpenzimeve zhvendoset artificialisht në vitin pasardhës. Kjo mënyrë e pagesave të dhjetorit në vitin fiskal vijues është kthyer në një praktikë të përsëritur çdo fund-vit, duke dëmtuar besueshmërinë e raportimit fiskal dhe kufizuar të drejtën e publikut dhe Kuvendit për të kuptuar kostot reale të qeverisjes së vitit të kaluar.

Në raportimet sipas standardeve ndërkombëtare, shpenzimet regjistrohen në momentin kur lind detyrimi ekonomik. Të dhënat zyrtare nga thesari i Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë muajit dhjetor, nga data 2 deri më 29, janë kryer rreth 84 miliardë lekë (840 milionë euro) pagesa. Nga 1 janari deri më 29 dhjetor 2025, sipas të dhënave të fundit mbi pagesat e thesarit, janë shpenzuar gjithsej rreth 722.6 miliardë lekë, ndërkohë që plani vjetor ishte 831.7 miliardë lekë. Kjo rezulton në një tepricë prej 109 miliardë lekësh, rreth 1.1 miliardë euro, në datën 30 dhjetor.

Çdo fund viti qeveria miraton një buxhet në rritje për vitin pasardhës, por në praktikë, ai nuk ekzekutohet kurrë sipas planit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse vendi përballet me nevoja të mëdha, me gati 20% të popullsisë në varfëri relative dhe emigracion masiv.

Në vitin 2025, teprica ishte shumë më e lartë pasi pagesat e muajit dhjetor ishin më të kufizuara, për shkak të hetimeve. Një tepricë buxhetore, e cila mund të përdoret për uljen e mëtejshme të borxhit publik, është më e favorshme se abuzimet me të, siç edhe kanë treguar rezultatet e hetimeve nga SPAK.

Scroll to Top