Ndalim vizash emigracioni për shqiptarët në SHBA

Amerika shtrëngon rripin: Mbyllet dera e emigrimit për shqiptarët

Qytetarët shqiptarë janë futur zyrtarisht në një fazë të re dhe shumë më të ashpër të politikës amerikane të emigracionit. Pas pezullimit të lotarisë amerikane, Departamenti i Shtetit i SHBA ka njoftuar ndalimin e shqyrtimit të vizave të emigracionit për Shqipërinë, duke filluar nga data 21 janar, pa një afat të caktuar përfundimi.

Vendimi bazohet në një memorandum të brendshëm të Departamentit të Shtetit, të raportuar fillimisht nga Fox News Digital. Ky udhëzim i drejton zyrtarët konsullorë të refuzojnë aplikimet për viza emigracioni duke përdorur maksimalisht ligjin ekzistues, ndërkohë që po rishikohen procedurat e kontrollit dhe verifikimit. Në praktikë, kjo do të thotë se procesi i vizave të emigracionit për shqiptarët ngrin, edhe pse formalisht nuk quhet ndalim absolut.

Shqipëria nuk është e vetme në këtë listë. Sipas Fox News, ajo është një nga rreth 75 shtete për të cilat shqyrtimi i vizave të emigracionit pezullohet nga 21 janari. Në këtë listë përfshihen edhe vende fqinje të rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe Kosova, Bosnja, dhe një numër i madh vendesh nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Kjo tregon se masa nuk është e drejtuar vetëm ndaj shqiptarëve, por është pjesë e një politike më të gjerë të filtrimit të emigracionit, të bazuar kryesisht në kritere ekonomike dhe sociale.

Çfarë është kriteri “public charge”

Në nëntor 2025, Departamenti i Shtetit u kishte dërguar përfaqësive diplomatike amerikane në mbarë botën një udhëzim të ri për zbatimin e zgjeruar të dispozitës së njohur si “public charge”, pjesë e ligjit amerikan të emigracionit. Sipas këtij kriteri, një aplikant për vizë emigracioni mund të refuzohet nëse vlerësohet se ka gjasa të mbështetet në përfitime publike në të ardhmen. Në vlerësim përfshihen një sërë faktorësh konkretë, si mosha, gjendja shëndetësore, njohja e gjuhës angleze, gjendja financiare, historia e përdorimit të ndihmës sociale dhe nevoja e mundshme për kujdes shëndetësor afatgjatë.

Praktikisht, kjo do të thotë se aplikantët e moshuar, ata me probleme shëndetësore, me të ardhura të ulëta ose me histori përfitimi nga ndihma shtetërore, kanë shumë pak gjasa të marrin vizë emigracioni. Siç deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott: “Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët e mundshëm që do të bëheshin barrë publike për Shtetet e Bashkuara.”

Pse shqiptarët përfshihen në këtë kategori

Pak ditë para këtij vendimi, presidenti amerikan Donald Trump publikoi në rrjetin social Truth Social disa tabela me titull “Immigrant Welfare Recipient Rates by Country of Origin”, ku paraqitet përqindja e familjeve emigrante që përfitojnë ndihmë sociale në SHBA, sipas vendit të origjinës. Sipas këtyre të dhënave, 41.3 për qind e familjeve emigrante shqiptare në SHBA përfitojnë asistencë sociale. Në të njëjtën listë, Kosova renditet edhe më lart, me rreth 46 për qind të familjeve që marrin ndihmë shtetërore. Shqipëria renditet mbi pragun 40 për qind, pranë vendeve si Moldavia, Ukraina dhe Vietnami.

Edhe pse këto të dhëna janë përdorur kryesisht në diskurs politik dhe nuk përbëjnë statistika të detajuara zyrtare sipas përfitimit individual, ato janë pjesë e argumentit që administrata Trump po përdor për të justifikuar shtrëngimin e emigracionit. Në terma praktikë, shqiptarët që aplikojnë për viza emigracioni, bashkim familjar apo green card, do të përballen me refuzime pothuajse automatike ose me zvarritje pa afat. Proceset ekzistuese pritet të ngadalësohen ndjeshëm, ndërsa aplikimet e reja do të kalojnë në një sitë shumë më të rreptë se më parë.

Ky zhvillim nuk lidhet me marrëdhëniet politike Shqipëri-SHBA, por me një filozofi të re të emigracionit amerikan, ku emigranti vlerësohet para së gjithash si risk ekonomik dhe fiskal, jo si rast human apo familjar.

Një politikë e qartë e Trump ndaj emigracionit

Qasja e Donald Trump ndaj emigracionit është e njohur dhe konsistente: kufizim i emigracionit social, përparësi për emigracionin ekonomik dhe profesional, dhe ulje e çdo risku që mund të rëndojë mbi buxhetin amerikan. Lista e vendeve, kriteri “public charge” dhe pezullimi i vizave për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe dhjetëra vende të tjera janë pjesë e së njëjtës strategji. Në thelb, SHBA po i mbyll derën emigracionit që shihet si barrë ekonomike. Dhe në këtë fazë, shqiptarët, ashtu si fqinjët e tyre në rajon, janë në anën e gabuar të kësaj dere.

Scroll to Top