Flik vs Real Madrid: Fitorja vjen nga sjellja, jo emri

Flik kundër Realit pas kalimit të Barcelonës në Kupë: Fitorja vjen nga sjellja, jo nga emri

Hansi Flik shprehu kënaqësinë e tij pas fitores 2-0 të skuadrës së tij kundër Racing Santander në Kupën e Mbretit, pavarësisht se skuadra u desh të lodhej për të arritur suksesin.

Trajneri gjerman i la titullarët e zakonshëm në fushë, duke treguar seriozitetin me të cilin e mori këtë trofe, me qëllim që të shmangë surprizat, siç ndodhi me Realin. Deklarata e tij pas ndeshjes, ku theksoi se fitorja arrihet falë sjelljes në fushë dhe jo thjesht nga emri, u interpretua si një thumbim drejtuar Real Madridit.

“Kishte një atmosferë të shkëlqyer. Racing luajti shumë mirë dhe ne morëm një rezultat të mirë. Jemi ende në Kupë. Mbajtëm sërish portën të paprekur dhe kaluam në raundin tjetër, kjo është gjëja më e rëndësishme. Për Racing, kjo ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, dhe për ne gjithashtu. Është e rëndësishme të kuptojmë se nuk fiton për shkak të emrit, por për shkak të sjelljes. Luajtëm një ndeshje serioze me mentalitetin e duhur. Bëmë shumë mirë. Racing luajti një ndeshje të shkëlqyer, ndoshta vitin tjetër do t’i shohim në La Liga, do të na pëlqente kjo,” u shpreh Flik pas ndeshjes.

Ai shtoi edhe disa komente për lojtarin Fermin: “Fermin është special. Jo të gjithë lojtarët janë si ai. Më pëlqen sjellja e tij, dinamizmi… ai ndryshon rrjedhën e një ndeshjeje me dinamikën dhe pasimet e tij. Ai gjithashtu shënon dhe është gjithmonë në pozicionin e duhur. Ai është një lojtar shumë i mirë për ne.”

Scroll to Top