Kërkohej për drogë nga Britania, arrestohet i riu në Shkodër
Një shtetas 33-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Shkodër.
Strukturat e Drejtorisë së Vendore të Policisë (DVP) Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted”. Operacioni u organizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Si rezultat, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi Bruno Bushi, 33 vjeç, banues në fshatin Premal.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Gjykata e Magjistraturës në Westminster, Mbretëria e Bashkuar, kishte lëshuar ndaj Bushit një urdhër-arresti për veprën penale “Shkelja e ligjit për lëndët narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
