Sekuestro dyfishtë pasuri skeme piramidale në Shqipëri

BIRN: Pronat e kreut spanjoll të një skeme piramidale sekuestrohen dy herë në Shqipëri

Tre muaj pasi ishin sekuestruar nga SPAK, edhe Prokuroria e Tiranës ka deklaruar të premten se ka sekuestruar kompanitë e biznesit, tokat dhe llogaritë bankare të investuara në Shqipëri nga drejtuesit e një skeme piramidale me kriptovaluta në Spanjë.

Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka sekuestruar disa shoqëri tregtare, mbi 23 hektarë tokë në Dhërmi, si dhe automjete dhe llogari bankare në pronësi të shtetasit spanjoll Alvaro Castillo. Ai akuzohet për ngritjen e një skeme mashtrimi ndërkombëtare me vlerë 30 milionë euro, e cila shtrihet nga Spanja deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit, pronat e sekuestruara në Shqipëri dyshohet se janë produkt i veprës penale të pastrimit të parave.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se masat e sekuestros të Prokurorisë së Tiranës nuk kanë ndonjë vlerë praktike, pasi të njëjtat prona ishin sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme.

Sipas dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompanitë në pronësi të Castillo dhe të afërmve të tij – Wingwort, Wortend dhe Wortnova – si dhe pronat e tjera, janë vendosur nën administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) që prej 16 tetorit të vitit 2025.

I pyetur nga BIRN për këtë mbivendosje të sekuestrimeve, prokurori Ndini Tavani i Prokurorisë së Tiranës, tha se masa e sekuestros ishte vendosur mbi bazën e një procedimi penal për veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të filluar pas një informacioni të përcjellë nga Policia e Shtetit.

Tavani sqaroi gjithashtu se ishte në dijeni të sekuestrimeve të kryera më parë nga SPAK, por sipas tij, këta të fundit nuk po hetonin shtetasit spanjollë, por “i kishin kryer sekuestrimet mbi bazën e një letër-porosie të autoriteteve spanjolle”.

“Në kushtet kur hetimi ynë ka filluar kohë përpara se SPAK të kryente sekuestrimin, si dhe për faktin që nuk ka një hetim paralel nga ata, kam vijuar hetimin dhe kam ndjekur procedurat përkatëse, duke konkluduar me kërkesën për sekuestrim,” tha prokurori Tavani, duke shtuar se po e kryente detyrën sipas kërkesave ligjore.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës, Alvaro Castillo, babai i tij, Domingo Iriarte, dhe partnerja Mihaela Manole akuzohen se kanë krijuar një skemë mashtrimi përmes krijimit të kompanive në Spanjë, Portugali, Shqipëri, Shtetet e Bashkuara, Republikën Domenikane si dhe në Estoni.

Sipas organit të akuzës, vlera e përfituar përmes kësaj skeme përllogaritet të arrijë shumën 30 milionë euro.

Në vitin 2024, ata kanë regjistruar tre kompani në Shqipëri me objekt fushën e turizmit apo investimet në pasuri të patundshme. Këto kompani janë përfshirë në kontrata, transferta dhe shkëmbime tregtare me kompani të regjistruara në Bullgari, Sllovaki apo Malajzi.

Sipas prokurorisë, këto shoqëri kanë blerë pasuri të paluajtshme në Dhërmi me vlera dukshëm më të ulëta se vlera e tregut.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto subjekte ushtrojnë të njëjtin aktivitet dhe kanë të njëjtën adresë, me administratorë shtetas të huaj (spanjollë).

Po ashtu, rezultojnë me status “pezulluar”, ç’ka sipas organit të akuzës, rrit dyshimet për ekzistencën e një aktiviteti të përbashkët ekonomik të mundshëm dhe përdorim formal të subjekteve për qëllime të fshehjes apo transferimit të të ardhurave me origjinë të dyshimtë.

Domingo Iriarte është nën hetim në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash. Hetimi lidhet kryesisht me aktivitetet e tij në kompaninë Madeira Invest Club dhe shoqëri financiare të tjera.

Megjithatë, në qendër të skemës dyshohet se qëndronte djali i tij, Alvaro Castillo, i arrestuar në Spanjë dhe i njohur në rrjetet e koduara si ‘Luis’ apo ‘Cryptospain’.

“Ai komunikonte me klientët në platformën Telegram, duke i bindur të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro, pa pasur detyrimin të identifikoheshin. Kjo e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve financiare”, citohet në njoftim.

Shtohet se ky rrjet kriminal kishte ngritur kompani fiktive në disa shtete për të fshehur qarkullimin e parave.

Scroll to Top