Dy ditë nga vendimi për Ballukun: Rama kritikon Gjykatën Kushtetuese dhe komplimenton SPAK
Ndërsa na ndajnë dy ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e pezullimit të ministres Belinda Balluku (ose çdo ministri), kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X.
Rama ka shprehur kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar veprimtarinë e saj si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”. Ai pretendon se kjo situatë i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët sipas tij, synojnë të rrisin pagat e tyre nëpërmjet gjykatave, duke cenuar kështu piramidën shtetërore të pagave.
Kryeministri ka shtuar se këto shoqata duan që në mënyrë të përhershme t’u jepet e drejta për të rritur vetë pagën sa herë që pagat e tjera rriten. Sipas tij, kjo do të bënte Shqipërinë të ishte “përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër”, duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave.
Rama ka cilësuar këtë si një “skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues” dhe ka shprehur shpresën që Gjykata Kushtetuese të mos lejojë kurrësesi që kjo të shndërrohet në një “turp kombëtar”.
Në fund të deklaratës së tij, kryeministri ka vlerësuar mospërfshirjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në këtë proces.
“Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, ka shkruar Rama.
