Tentoi të vriste një polic me sharrë elektrike, 10 vite burg për shqiptarin në Skoci
Liridon Kastrati, 32 vjeç, shtetas shqiptar, u shpall fajtor për sulmin ndaj oficerëve të Policisë së Skocisë, pasi u kap në pamjet e kamerave të sigurisë duke kërcënuar policët me një mjet të rrezikshëm.
Ai kishte mohuar akuzën për tentativë vrasjeje ndaj katër efektivëve të policisë. Sipas autoriteteve, objektiv i drejtpërdrejtë i sulmit ishte oficeri Gary Cowan, i cili, sipas Policisë së Skocisë, është rikthyer tashmë në detyrë pas një ngjarjeje të cilësuar si “jashtëzakonisht traumatike”.
Gjykata vendosi që dënimi 10-vjeçar të llogaritet duke filluar nga muaji maj 2024, kur Kastrati u arrestua pas incidentit.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, i dënuari reagoi ashpër në sallën e gjyqit, duke goditur bankën e të pandehurve dhe duke bërtitur fillimisht në shqip. Më pas, në anglisht, ai përdori fjalor fyes ndaj gjyqtarit William Gallacher dhe e quajti Skocinë “vend terrorist”, përpara se të nxirrej nga salla nga oficerët e sigurisë.
Autoritetet skoceze e kanë cilësuar rastin si një sulm serioz ndaj forcave të rendit dhe kanë theksuar se dhuna ndaj policisë do të përballet me ndëshkime të rënda ligjore.
