INSTAT: Turistët ndikuan në 54% të rritjes së çmimeve në dhjetor
Në muajin dhjetor, teksa inflacioni arrinte në 2.2%, tre grupe mallrash dhe shërbimesh, të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin e turistëve, kontribuan rreth 54% në rritjen e përgjithshme të çmimeve.
Sipas të dhënave të INSTAT, ndikimi kryesor erdhi nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, i cili kontribuoi me 0.96 pikë përqindje në inflacion. Grupi “Hotele, kafene dhe restorante” shtoi 0.15 pikë përqindje, ndërsa grupi “Argëtim dhe kulturë” pati një ndikim prej 0.08 pikë përqindje.
Ky fenomen, edhe pse më i dukshëm në dhjetor, ka qenë prezent gjatë gjithë vitit. INSTAT raporton se inflacioni mesatar në vitin 2025 ishte 2.2%, por struktura e tij tregon se një pjesë e rëndësishme e rritjes së çmimeve vjen nga sektori i turizmit, duke përfshirë akomodimin, shërbimet e hotelerisë dhe restoranteve, ushqimin jashtë shtëpisë, transportin, si dhe qiratë dhe shërbimet e kafeneve e restoranteve.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 sugjerojnë se presionet inflacioniste po përqendrohen dhe po bëhen më selektive, të lidhura më shumë me kërkesën sezonale dhe flukset turistike sesa me fuqinë vendase të konsumit.
Në vitin 2025, rritja më e ndjeshme u shënua në shërbimet e akomodimit me 6.5%, si dhe në argëtim dhe kulturë me +5.6%, duke pasqyruar zgjerimin e aktivitetit turistik dhe rritjen e kërkesës për shërbime rekreative. Paralelisht, janë shtrenjtuar ndjeshëm edhe produktet dhe shërbimet e konsumit jashtë shtëpisë, si kafeja, çaji dhe kakaoja (+5.4%), pijet alkoolike (mbi 3%), si dhe ushqimet kryesore të përdorura në bare dhe restorante, si mishi dhe produktet e qumështit.
Shërbimet e transportit u rritën me 3.9%, edhe pse grupi i transportit në total shënoi rënie, falë uljes së çmimeve të karburanteve. Kjo ndarje tregon se kërkesa turistike ka shtuar kostot e shërbimeve, edhe kur faktorë të tjerë kanë ndikuar në drejtim të kundërt.
Një element kyç në strukturën e inflacionit të vitit 2025 janë qiratë, të cilat shënuan një rritje mesatare prej 4.5%. Rritja ishte veçanërisht e fortë në gjysmën e dytë të vitit, duke arritur kulmin në dhjetor me 8%. Ky zhvillim lidhet ngushtë me orientimin e një pjese të konsiderueshme të banesave drejt tregut të qiradhënies afatshkurtër për turistët, sidomos në zonat urbane dhe bregdetare.
Përshpejtimi i rritjes në fund të vitit 2025 tregon se presioni mbi tregun e strehimit pritet të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, duke e kthyer çështjen e qirave nga një problem tregu në një sfidë sociale dhe ekonomike. Në mungesë të politikave për rritjen e ofertës së banesave të përballueshme dhe frenimin e spekulimit, ritmi aktual i rritjes sugjeron se qiratë në Shqipëri po hyjnë në një fazë të re shtrenjtimi, shumë më agresive se ajo e viteve të mëparshme.
Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht nga 6% deri në 57% në vetëm një vit.
Rritja e çmimeve ka qenë e pranishme edhe në disa nëngrupe të tjera të lidhura me turizmin, siç janë furnizimi i hoteleve me mobilie dhe tapiceri, importet dhe çmimet e të cilave janë rritur ndjeshëm dy vitet e fundit. Çmimet e tekstileve dhe tapeteve u rritën me 5–6.4%.
Në vitin 2025, Shqipërinë e vizituan më shumë se 12 milionë shtetas të huaj, të cilët rritën kërkesën për shërbime të shumta. Kryesore në këtë kërkesë ishin akomodimi, kafeneja, restorantet dhe argëtimi, çka, siç shihet nga të dhënat e inflacionit, po përkthehet në një shtrenjtim të kostos së jetesës për vendasit.
