Afera “5D”: Taulant Tusha Lirohet nga Burgu
Taulant Tusha, një figurë e afërt me kryebashkiakun Erion Veliaj, është liruar nga burgu. Burime të Lapsi.al nga Gjykata e Posaçme konfirmojnë se masa e tij e sigurisë është ndryshuar nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Tusha akuzohet si i përfshirë në aferën “5D”.
Vendimi për lirimin e tij u mor ditën e sotme nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nën kryesimin e gjyqtares Iliriana Olldashi. Sipas SPAK, në periudhën 2016-2020, kompania “5D Konstruksion” sh.p.k ka përfituar 12 tendera publikë, duke shkelur rregullat e prokurimit dhe duke siguruar fitime rreth 192.7 milionë lekë.
Taulant Tusha ka qenë pjesë e Partisë Socialiste që në fillimet e saj. Ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë për Çështje Sociale dhe Rininë, kur kjo ministri drejtohej nga Erion Veliaj. Pas zgjedhjes së Veliajt si kryebashkiak i Tiranës, Tusha u emërua Drejtor i Punëve Publike në Bashki. Më pas, ai ka drejtuar edhe Bordi Drejtues të Ujësjellësit të Tiranës.
Në vitin 2016, Tusha ishte përfaqësues i Veliajt në Komisionin për koncesionin e mbetjeve. Ai është kallëzuar penalisht nga përfaqësues të opozitës në Komisionin Hetimor Parlamentar për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Gjithashtu, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka përfshirë Taulant Tushën në listën e personave të kallëzuar për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Përfaqësues të opozitës e kanë akuzuar gjithashtu Tushën si një nga përgjegjësit për faturën e fryrë financiarisht për ndërtimin e shkollës së mesme “Sami Frashëri”.
