APP kërkon raportim nga autoritetet mbi ankandet publike

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) kërkon raportim nga autoritetet kontraktore për ankandet publike.

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka rikujtuar autoriteteve kontraktore detyrimin për të raportuar çdo gjashtë muaj procedurat e zhvilluara në formën e ankandit publik. Ky detyrim, siç thekson APP, rrjedh nga neni 7 i Ligjit Nr. 9874, datë 14.02.2008 “Për ankandin publik”, të ndryshuar. Ligji parashikon se mbikëqyrja e zbatimit të procedurave të shitjes me ankand kryhet nga Agjencia e Prokurimit Publik.

APP ka si funksion verifikimin e zbatimit të procedurave të ankandeve pas nënshkrimit të kontratës, në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore. Për këtë qëllim, agjencia kërkon nga autoritetet shitëse gjithë informacionin e nevojshëm.

Në pikën 4 të nenit 6 të Ligjit për Ankandin Publik (LAP) thuhet shprehimisht se:

  • “Autoriteti shitës, çdo 6 muaj, duhet të dorëzojë në Agjencinë e Prokurimit Publik një raport për veprimtaritë e tij të ankandit.”

APP sjell në vëmendje të autoriteteve shitëse detyrimin për të raportuar periodikisht mbi veprimtarinë e ankandeve të zhvilluara. Raportimi duhet të përfshijë vetëm procedurat, objekti i të cilave i përket fushës së zbatimit të LAP, si dhe procedurat për të cilat ligji parashikon veçmas zhvillimin e ankandit, por që në fund të fundit ndjekin përcaktimet e LAP (sipas nenit 4, pika 1, gërma “d” të LAP).

Agjencia e Prokurimit Publik ka specifikuar gjithashtu detajet që duhet të përmbajë raportimi standard për ankandet publike. Të dhënat e kërkuara përfshijnë:

  • Objektin e procedurës së ankandit.
  • Llojin e procedurës së ankandit dhe përcaktimin e numrit të loteve (nëse procedura është e ndarë në lote).
  • Vlerën fillestare të ankandit.
  • Datën e zhvillimit të procedurës.
  • Datën e nënshkrimit të kontratës (për rastet e finalizuara me kontratë).
  • Vlerën e kontratës së nënshkruar (për rastet e finalizuara me kontratë).
  • Arsyen e anulimit të procedurës (për rastet kur procedura anulohet).
Scroll to Top