“`html
Veliaj padit në Administrative Presidencën dhe prokurorin e SPAK që e hetoi
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për periudhën 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado.
Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror në vitin 2008, pasi pretendon se ky emërim është bërë në kundërshtim flagrant me ligjin. Sipas padisë, në momentin e dekretimit, prokurori nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit, duke qenë se nuk kishte kryer më parë Shkollën e Magjistraturës.
Gjithashtu, Veliaj kërkon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit të paligjshëm të detyrës nga prokurori në fjalë.
Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi “nul ab initio” (të pavlefshëm që nga fillimi), duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.
“`
