Trazira Aeroporti Brindisi: 3 Shqiptarë nën Hetim

Dolën në pistën e avionit dhe shkaktuan trazira në Brindisi, 3 shqiptarë nën hetim

Nata mes 6 dhe 7 janarit u shndërrua në kaos në aeroportin e Brindisit. Dy fluturime të kompanisë Wizz Air me destinacion Tiranën, të nisur nga Bergamo dhe Bolonja, u detyruan të devijoheshin drejt aeroportit të Salentos për shkak të kushteve të këqija të motit në Shqipëri.

Ky vendim shkaktoi reagim të ashpër nga një pjesë e pasagjerëve. Ata u mblodhën në pistën e aeroportit, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë.

Sipas autoriteteve italiane, tre persona me origjinë shqiptare, të identifikuar përmes kamerave të sigurisë, dyshohet se kanë pasur rol kyç në përshkallëzimin e trazirave. Sjellja e tyre agresive dhe aftësia për të nxitur pasagjerë të tjerë të bashkoheshin me protestën janë theksuar nga autoritetet.

Prokuroria e Brindisit ka nisur hetime ndaj tyre për disa vepra penale, përfshirë:

  • Prishje të shërbimit publik
  • Sulm dhe kërcënime ndaj një zyrtari publik
  • Dëmtim të rëndë të pronës publike
  • Pushtim arbitrar i ambienteve publike
  • Shkelje të rregulloreve të sigurisë aeroportuale

Tre të dyshuarit u identifikuan gjatë kontrolleve kufitare në terminalin e Costa Morena-s, ndërsa po përgatiteshin të hipnin në tragetin drejt Vlorës.

Ndërkohë, pasagjerët e tjerë u përballën me orë të tëra tensioni, pasi u detyruan të braktisnin udhëtimin ajror drejt Shqipërisë. Sipas Corriere, në fund, të gjithë pasagjerët u kthyen në Shqipëri me mjete alternative udhëtimi.

Scroll to Top