Sigurimi dhe Politikat Publike kundër Fatkeqësive Natyrore në Shqipëri

Sigurimi nuk mund të funksionojë i shkëputur nga infrastruktura dhe politikat publike

Intervistë / Klaidi Çitozi, drejtor i përgjithshëm i Sigma Vienna Insurance Group

Shqipëria duhet të ndjekë shembujt e vendeve europiane, të cilat investojnë në sisteme mbrojtëse, planifikim urban dhe politika parandaluese për të minimizuar dëmet në rast fatkeqësish natyrore. Klaidi Çitozi, drejtor i përgjithshëm i Sigma Vienna Insurance Group, thekson se sigurimi është një mjet mbrojtës financiar, por nuk mund të funksionojë i shkëputur nga infrastruktura dhe politikat publike.

Sipas tij, një skemë kombëtare sigurimi do të krijonte mundësinë që edhe pronat që aktualisht konsiderohen jashtë standardeve normale të marrjes në sigurim, të përfshihen në mbulim, përmes nën-limiteve specifike, si për përmbytjet, ashtu edhe për tërmetet.

Çitozi shprehet se menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë natyrore kërkon një qasje të integruar dhe të mirëstrukturuar, ku sigurimet përbëjnë një shtyllë kyçe, por jo të vetmen. Përveç investimeve në infrastrukturë parandaluese, planifikimit urban afatgjatë, hartave të riskut dhe forcimit të standardeve të ndërtimit, një element thelbësor është edhe vendosja e sigurimit të detyrueshëm nga rreziqet bazë, si tërmeti dhe përmbytja.

Ai mendon se roli i shtetit është vendimtar në krijimin e një kornize institucionale që ul ekspozimin ndaj këtyre rreziqeve dhe i bën ato të menaxhueshme si për qytetarët, ashtu edhe për tregun e sigurimeve.

Si e vlerësoni shkallën e mbulimit të ekonomisë shqiptare me sigurime nga fatkeqësitë natyrore?

Shkalla e mbulimit të ekonomisë shqiptare me sigurime nga fatkeqësitë natyrore mbetet ende nën nivelin e nevojshëm për të përballuar realisht ekspozimin ndaj rreziqeve klimatike dhe gjeologjike. Megjithatë, vërehet një diferencë e qartë mes segmenteve të tregut. Bizneset e mëdha janë dukshëm më të ndërgjegjësuara për rëndësinë e sigurimit, pasi e shohin atë si pjesë integrale të menaxhimit të riskut dhe vazhdimësisë operacionale. Ndërkohë, individët dhe bizneset e vogla vazhdojnë ta perceptojnë sigurimin më tepër si një kosto sesa si një instrument mbrojtës financiar. Kjo krijon një hendek mes riskut real dhe nivelit të mbulimit, i cili kërkon adresim përmes edukimit financiar dhe politikave nxitëse afatgjata.

Çfarë efektesh patën përmbytjet e këtij muaji për kompanitë e sigurimeve dhe a jeni përballur me dëme nga situata e krijuar?

Përmbytjet e këtij muaji konfirmuan edhe një herë se ndryshimet klimatike janë tashmë një realitet me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Për industrinë e sigurimeve, këto ngjarje përkthehen në rritje të dëmeve, aktivizim të menjëhershëm operacional dhe nevojë për reagim të shpejtë e të strukturuar. Edhe SIGMA VIG është përballur me dëme, jo vetëm në sigurimet e pronës, por edhe në sigurimet KASKO, si pasojë e përmbytjeve dhe kushteve ekstreme atmosferike. Kjo tregon se ndikimi i fatkeqësive natyrore është gjithnjë e më gjerë dhe prek disa linja sigurimi njëkohësisht. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se si shoqëri duhet të marrim përgjegjësi për përmirësimin e infrastrukturës dhe masave parandaluese. Vendet europiane kanë vite që investojnë në sisteme mbrojtëse, planifikim urban dhe politika parandaluese, pikërisht për të minimizuar dëmet në rast fatkeqësish natyrore. Sigurimi është një mjet mbrojtës financiar, por nuk mund të funksionojë i shkëputur nga infrastruktura dhe politikat publike. Njëkohësisht, një skemë kombëtare sigurimi do të krijonte mundësinë që edhe pronat që aktualisht konsiderohen jashtë standardeve normale të marrjes në sigurim, të përfshihen në mbulim, përmes nën-limiteve specifike, si për përmbytjet ashtu edhe për tërmetet.

A keni pasur raste të subjekteve të interesuara për t’u siguruar nga fatkeqësitë, por që nuk keni mundur t’i siguroni për shkak të riskut të lartë? Cila është tipologjia e këtyre rasteve?

Po, ekzistojnë raste të tilla. Industria e sigurimeve funksionon mbi parimin e vlerësimit teknik të riskut dhe jo çdo ekspozim mund të mbulohet pa masa shtesë parandaluese. Kryesisht bëhet fjalë për objekte të ndërtuara në zona me rrezik të lartë përmbytjeje, pranë shtretërve të lumenjve, ose ndërtime që nuk respektojnë standardet teknike dhe urbanistike. Në këto raste, sfida nuk është mungesa e vullnetit për të ofruar mbulim, por nevoja për të balancuar mbrojtjen e klientit me qëndrueshmërinë financiare të sistemit të sigurimeve. Ajo që ne inkurajojmë është bashkëpunimi me bizneset dhe individët për të reduktuar riskun në burim, në mënyrë që sigurimi të bëhet i realizueshëm.

Besoni se ekzistojnë hapësira për menaxhimin më të mirë të riskut nga fatkeqësitë natyrore nga strukturat shtetërore?

Pa dyshim që po. Menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë natyrore kërkon një qasje të integruar dhe të mirëstrukturuar, ku sigurimet përbëjnë një shtyllë kyçe, por jo të vetmen. Përveç investimeve në infrastrukturë parandaluese, planifikimit urban afatgjatë, hartave të riskut dhe forcimit të standardeve të ndërtimit, një element thelbësor është edhe vendosja e sigurimit të detyrueshëm nga rreziqet bazë, si tërmeti dhe përmbytja. Roli i shtetit është vendimtar në krijimin e një kornize institucionale që ul ekspozimin ndaj këtyre rreziqeve dhe i bën ato të menaxhueshme si për qytetarët, ashtu edhe për tregun e sigurimeve. Një skemë e tillë do të kontribuonte në ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe të aftë për përballimin e goditjeve, ku barra financiare e fatkeqësive natyrore nuk rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e shtetit apo individët, por shpërndahet në mënyrë të balancuar dhe të parashikueshme në nivel kombëtar.

Nga këndvështrimi juaj, si mund të përmirësohet mbulimi i vendit me sigurime nga fatkeqësitë natyrore?

Përmirësimi i mbulimit kërkon një kombinim të tre elementëve: edukim financiar, produkte më fleksibël dhe politika publike mbështetëse. Qytetarët dhe bizneset duhet ta shohin sigurimin jo si një kosto, por si një investim në vazhdimësinë e tyre ekonomike. Nga ana jonë, kompanitë e sigurimeve duhet të vazhdojnë inovacionin në produkte, duke i bërë ato më të aksesueshme dhe më të përshtatura me realitetin. Ndërkohë, bashkëpunimi me institucionet shtetërore për nisma kombëtare ose skema të përbashkëta do të ishte një hap strategjik për të rritur ndjeshëm nivelin e mbrojtjes së ekonomisë shqiptare ndaj fatkeqësive natyrore.

Scroll to Top