Inovacion, rritje e qëndrueshme dhe fokusi te klienti
Intervistë me Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm i Tirana Bank
Viti 2026 pritet të jetë më sfidues për sektorin bankar, ku balancimi midis rritjes së qëndrueshme dhe menaxhimit rigoroz të riskut do të mbetet një përparësi kyçe. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm i Tirana Bank, thekson se zhvillimet gjeopolitike, luhatjet e normave të interesit dhe dinamikat makroekonomike kërkojnë vendimmarrje të matur, disiplinë në ekspozime dhe një orientim më të qartë në strukturimin e portofolave.
Ai shprehet se transformimi digjital do të intensifikohet, duke kërkuar investime të qëndrueshme në teknologji, automatizim dhe përdorim më të zgjeruar të Inteligjencës Artificiale, si në analiza, ashtu edhe në funksione operacionale. Në të njëjtën kohë, sipas tij, roli i financimit të gjelbër do të vijojë të rritet në mënyrë domethënëse. Institucionet financiare pritet të luajnë rol aktiv në përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër, rritjes së eficiencës energjetike dhe zhvillimit urban të qëndrueshëm. Përmes politikave të qarta, instrumenteve inovative dhe partneriteteve të qëndrueshme, bankat mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në ndërtimin e një ekonomie më të gjelbër dhe më konkurruese.
Z. Mustafa mendon se institucionet që e kanë inovacionin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përvojën e klientit në qendër të objektivave të tyre strategjike do të jenë ato që do të konsolidojnë më tej pozicionin dhe rolin e tyre në një treg gjithnjë e më konkurrues.
Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të bankës suaj gjatë vitit të kaluar dhe cilat ishin, në këndvështrimin tuaj, zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi?
Viti 2025 shënoi një moment të ri për Tirana Bank, duke fuqizuar më tej rolin tonë si një nga institucionet më dinamike në tregun bankar shqiptar. Rezultatet financiare ishin të qëndrueshme në të gjithë treguesit kryesorë: asetet totale arritën në 1.9 miliardë euro, portofoli i huave në 980 milionë euro dhe depozitat në 1.5 miliardë euro. Këto arritje reflektojnë besimin e klientëve tanë dhe pozicionin tonë të konsoliduar si një partner financiar i rëndësishëm për ekonominë.
Gjatë vitit 2025, Tirana Bank u rendit ndër tre bankat kryesore në vend për rritjen më të lartë vjetore në kredi dhe depozita, duke konfirmuar trendin tonë të qëndrueshëm dhe të përshpejtuar të rritjes në vitet e fundit.
Transformimi digjital u konsolidua si një prej përparësive kryesore strategjike të Tirana Bank gjatë vitit. Prezantimi i Apple Pay, aderimi në SEPA, si dhe prezantimi i produkteve të reja si Karta e Kreditit e Biznesit dhe Karta e Debitit e Studentit dëshmojnë angazhimin tonë për të ofruar standarde gjithnjë e më të larta shërbimi dhe për t’u dhënë klientëve më shumë komoditet në përditshmëri. Këto nisma jo vetëm modernizuan portofolin tonë, por rritën ndjeshëm edhe efikasitetin dhe sigurinë e shërbimeve.
Në të njëjtën kohë, përvoja e klientit ka qenë në qendër të çdo vendimmarrjeje. Ne kemi investuar në thjeshtimin e proceseve, në rritjen e shpejtësisë së shërbimit dhe në ndërtimin e një përvoje sa më intuitive dhe transparente në çdo pikë kontakti me Bankën. Besojmë se diferenca reale në treg sot krijohet pikërisht nga mënyra se si klienti e përjeton bankën, jo vetëm nga produktet që ofrojmë.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme ishte zhvendosja e selisë qendrore të Bankës në një godinë ikonike në zemër të Tiranës. Kjo hapësirë e re reflekton një filozofi të re pune: mjedise bashkëkohore, teknologji e integruar dhe një degë qendrore tërësisht e rikonceptuar, për të garantuar një përvojë moderne dhe të lehtësuar për klientët.
Një vlerë e veçantë për ne mbeten njerëzit tanë. Kemi një ekip që jo vetëm qëndron gjatë në Bankë, por rritet me të dhe e sheh Tirana Bank si një familje profesionale. Ky stabilitet dhe ky përkushtim janë themeli mbi të cilin ndërtojmë çdo sukses dhe çdo hap përpara.
Gjatë vitit 2025, Tirana Bank u vlerësua nga dy prej institucioneve financiare më prestigjioze ndërkombëtare, duke marrë çmimet “Best Bank” nga Euromoney dhe “Bank of the Year” nga The Banker, duke konfirmuar pozicionimin tonë si një bankë me standarde të larta inovacioni, stabiliteti dhe cilësi shërbimi.
Në një treg bankar që po ndryshon me ritme të shpejta, viti 2025 u karakterizua nga përshpejtimi i transformimit digjital, rritja e konkurrencës dhe rritja e pritshmërive të klientëve, të cilët kërkojnë gjithnjë e më shumë shpejtësi, transparencë dhe fleksibilitet. Këto dinamika po e çojnë sistemin bankar drejt një faze të re zhvillimi dhe modernizimi, ku vetëm institucionet që vendosin klientin në qendër dhe investojnë në inovacion do të arrijnë të diferencohen realisht. Ndërkohë që ka një thellim të digjitalizimit të produkteve dhe shërbimeve bankare, paralelisht, në dy vitet e fundit, po shohim edhe një rritje të numrit të degëve dhe punonjësve të sektorit bankar.
Kur prisni të arrijmë në një fazë të reduktimit të pranisë fizike të bankave dhe zhvendosje në shkallë më të gjerë drejt bankingut digjital?
Transformimi digjital është i pakthyeshëm, por në Shqipëri marrëdhënia bankë–klient mbetet ende thellësisht njerëzore. Edhe pse përdorimi i kanaleve digjitale po rritet me shpejtësi, kontakti i drejtpërdrejtë, vizitat në degë dhe ndërveprimi human vazhdojnë të kenë një vlerë të rëndësishme për klientët, sidomos kur bëhet fjalë për vendime financiare të rëndësishme, ku kërkohet besim, siguri dhe këshillim i personalizuar.
Për këtë arsye, në horizontin afatmesëm, modeli është qartësisht hibrid, apo ajo që ne e quajmë një përvojë “phygital”. Qëllimi ynë është që transaksionet rutinore të kanalizohen gjithnjë e më shumë drejt kanaleve digjitale, duke u ofruar klientëve shpejtësi, thjeshtësi dhe akses 24/7. Ndërkohë, roli i degës po evoluon drejt një funksioni më të specializuar, si një hapësirë konsulence, ku klientët marrin këshillim financiar të personalizuar dhe mbështetje për vendime më të rëndësishme.
Në linjë me këtë vizion, Tirana Bank po modernizon rrjetin e degëve duke i shndërruar në qendra ekspertize, të mbështetura nga platforma digjitale që marrin përsipër pjesën më të madhe të operacioneve të përditshme. Synimi ynë është të garantojmë një përvojë të unifikuar dhe të integruar për klientin, ku kalimi nga një kanal në tjetrin është i natyrshëm dhe pa ndërprerje, duke vendosur gjithmonë në qendër komoditetin dhe nevojat e tij.
Në vijim të një cikli konsolidimi që zgjati rreth një dekadë, në vitin 2026, numri i bankave tregtare aktive në Shqipëri pritet të rritet për herë të parë pas 20 vjetësh. Besoni se ndodhemi në fillimet e një cikli të ri zgjerimi të bankave në treg apo në afat të gjatë, sistemi bankar do t’i kthehet përqendrimit dhe konsolidimit?
Hyrja e aktorëve të rinj në treg, pas një periudhe të gjatë konsolidimi, përbën një tregues të rëndësishëm të rritjes së besimit në ekonominë shqiptare dhe në potencialin e zhvillimit të sektorit bankar. Në afatmesëm, kjo pritet të nxisë konkurrencën, të sjellë flukse të reja investimesh dhe të nxisë inovacionin dhe diferencimin e ofertës.
Në të njëjtën kohë, në horizontin afatgjatë, dinamika e tregut financiar ndjek të njëjtat parime kudo në botë: kërkesat rregullatore gjithnjë e më komplekse, investimet e konsiderueshme në teknologji dhe nevoja për efikasitet operacional favorizojnë institucionet me shkallë më të madhe, kapacitete të konsoliduara dhe struktura të optimizuara. Si rezultat, është e pritshme që një fazë fillestare zgjerimi dhe diversifikimi të pasohet natyrshëm nga procese të mëtejshme konsolidimi.
Përtej këtyre zhvillimeve strukturore, për ne ajo që mbetet thelbësore është përvoja e klientit. Është një dimension mbi të cilin Tirana Bank ka ndërtuar ndër vite identitetin e saj dhe për të cilin marrim krenari që njihemi në treg. Fokusimi i vazhdueshëm te thjeshtësia, shpejtësia, transparenca dhe një qasje njerëzore në çdo ndërveprim ka qenë dhe mbetet diferencuesi ynë kryesor. Në këtë drejtim, synimi ynë është të vazhdojmë ta forcojmë këtë pozicion, duke ofruar një përvojë të qëndrueshme, cilësore dhe të ndërtuar realisht rreth nevojave të klientit.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi për herë të parë disa kufizime direkte në huadhënien për blerjen e pasurive të paluajtshme rezidenciale, por sërish kredia në këtë segment vazhdoi rritjen me ritme të larta. Si i vlerësoni rreziqet e lidhura me ekspozimin në tregun e pasurive të paluajtshme dhe si do t’i përballonte sektori efektet e një krize të mundshme në këtë treg?
Rritja e kreditimit rezidencial reflekton zhvillimin pozitiv të ekonomisë dhe kërkesën e lartë për investime, por mbetet një segment që kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe një qasje të kujdesshme. Masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë tregojnë pikërisht këtë orientim, ruajtjen e ekuilibrit të tregut dhe parandalimin e ekspozimeve të tepërta.
Tirana Bank zbaton kritere të mirëpërcaktuara në vlerësimin e projekteve dhe të aftësisë paguese të klientëve, duke u fokusuar në financimin e nismave të qëndrueshme dhe klientëve me profil të shëndoshë financiar. Kjo qasje e disiplinuar na ka mundësuar të ndërtojmë dhe të ruajmë një portofol cilësor, me nivele të ulëta të kredive me probleme.
Në tërësi, sektori bankar shqiptar mbetet mirë i kapitalizuar dhe me likuiditet të lartë, duke krijuar një bazë solide për përballimin e goditjeve të mundshme. Edhe në skenarë më sfidues të tregut, sistemi ka kapacitetin për të absorbuar luhatjet dhe për të garantuar stabilitet financiar, falë një kombinimi të politikave të kujdesshme, mbikëqyrjes efektive dhe disiplinës së tregut.
Cilat mendoni se do të jenë çështjet dhe sfidat kryesore për sektorin bankar për vitin 2026?
Viti 2026 paraqitet më sfidues për sektorin bankar, ku balancimi midis rritjes së qëndrueshme dhe menaxhimit rigoroz të riskut do të mbetet përparësi kyçe. Zhvillimet gjeopolitike, luhatjet e normave të interesit dhe dinamikat makroekonomike kërkojnë vendimmarrje të matur, disiplinë në ekspozime dhe një orientim më të qartë në strukturimin e portofolave.
Transformimi digjital do të intensifikohet, duke kërkuar investime të qëndrueshme në teknologji, automatizim dhe përdorim më të zgjeruar të Inteligjencës Artificiale, si në analiza, ashtu edhe në funksione operacionale. Efikasiteti, shpejtësia e proceseve dhe përmirësimi i përvojës së klientit do të jenë diferencues kyç. Paralelisht, rreziqet kibernetike do të mbeten në fokus, duke e bërë sigurinë dhe rezilencën digjitale elemente thelbësore të strategjisë së çdo institucioni financiar.
Në të njëjtën kohë, roli i financimit të gjelbër do të vijojë të rritet në mënyrë domethënëse. Institucionet financiare pritet të luajnë rol aktiv në përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër, rritjes së eficiencës energjetike dhe zhvillimit urban të qëndrueshëm. Përmes politikave të qarta, instrumenteve inovative dhe partneriteteve të qëndrueshme, bankat mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ndërtimin e një ekonomie më të gjelbër dhe më konkurruese.
Në këtë kontekst, institucionet që e kanë inovacionin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përvojën e klientit në qendër të objektivave të tyre strategjike do të konsolidojnë më tej pozicionin dhe rolin e tyre në një treg gjithnjë e më konkurrues.
