“`html
Rama në Jerusalem, një qëndrim i qartë politik në mbështetje të Izraelit
Deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në Jerusalem shënuan një pozicionim të drejtpërdrejtë të Shqipërisë në mbështetje të Izraelit lidhur me situatën në Gaza, në një kohë kur ky konflikt vijon të ndajë komunitetin ndërkombëtar.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Rama përdori një gjuhë që tejkaloi formulimet tradicionale diplomatike. Ai deklaroi se Shqipëria “qëndroi krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër vrasësve neonazistë të Hamasit”. Ai e përshkroi Hamasin si një organizatë që ka “dehumanizuar motrat dhe vëllezërit tanë palestinezë, deri në pikën e kthyerjes në instrumente lufte, duke u bërë një infrastrukturë vdekjeprurëse”.
Gjithashtu, Rama theksoi se “shqiptarët nuk u mblodhën në protesta urrejtjeje kundër Izraelit, e as nuk projektuan zemërimin e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast të theksuar me atë që për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shfaq në mënyrë thellësisht shqetësuese”.
Kryeministri ndodhet në Izrael për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.
Fjala e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu:
“Dua t’i uroj mirëseardhjen Kryeministrit Edi Rama nga Shqipëria. Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre, një mik i madh i shtetit hebre, dhe mund të them edhe një mik i imi personal. Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë.
Ndërsa bota duhet ta dijë, Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që gjatë Holokaustit pati një popullsi hebreje që u rrit, jo u zvogëlua. Kjo ndodhi sepse shqiptarët, myslimanë shqiptarë, në frymën e moderimit, tolerancës dhe dinjitetit njerëzor, mbrojtën qindra hebrenj që jetonin asokohe në Shqipëri dhe gjithashtu pritën shumë të tjerë. Ky është shpirti që ju përfaqësoni. Kjo është histori që, siç thamë më parë, bota duhet ta njohë dhe që frymëzon filma.
Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, moral, që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore. Kjo është ajo frymë që ju vazhdoni ta ushqeni edhe sot, miku im i mirë Edi. Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju sprapsin, ju qëndroni krahë së vërtetës, ju qëndruat krahë Izraelit kur u sulmuam nga barbarët. Busulla juaj morale nuk u lëkund, dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shquajmë si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe të atyre segmenteve të njerëzimit që duan që e vërteta të mbrohet dhe vlerat morale që ndajmë.
Kështu, jo çuditërisht, ne po ndërtojmë marrëdhënie të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Izraelit. Numri i turistëve izraelitë që kanë vizituar Shqipërinë është rritur me 800%, ndoshta 1000%, dhe së shpejti do të jenë shumë më tepër. Dhe mund t’ju them të gjithë izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm, kështu që shkoni atje.
Së dyti, kemi kompani investuese izraelite, të cilat dinë që ka një mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët. Kjo do të çojë më tej me hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, mendoj nesër me praninë e Kryeministrit Rama, dhe kjo është diçka që mendoj se do të çojë përpara lidhjet ekonomike.
Së fundi, do të doja të thoja që kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore. Ne njohim një themel afërsie dhe vëllazërimi midis dy popujve tanë, dhe dua të them edhe një bazë vëllazërimi midis të dyve prej nesh. Pra, mirëserdhët këtu! Faleminderit shumë, Kryeministër!”
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Izrael:
“Dua ta theksoj edhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, e cila është formësuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i shpëtonin persekutimit në Perëndim erdhën dhe u vendosën në brigjet tona.
Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë. Për mua, për ne, kjo është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.
Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë dhe të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në protesta urrejtjeje kundër Izraelit, e as nuk projektuan zemërimin e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast të theksuar me atë që për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shfaq në mënyrë thellësisht shqetësuese.
Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne refuzojmë qartësisht të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj dhe vende të tjera.
Vizita në Nova Site dje, menjëherë pas mbërritjes, ishte thellësisht trazuese. Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë. Ne qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër vrasësve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat dhe vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e kthyerjes në instrumente lufte, duke u kthyer në një infrastrukturë vdekjeprurëse, mish për zjarrin e terrorit. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e barbarive.
Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes, themeluar nga Presidenti Trump, dhe e shoh këtë ftesë jo vetëm si një njohje, por edhe si një përgjegjësi morale. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet, përfshirë planin e paqes për Gazën të Presidentit Trump, dhe do të luajmë rolin tonë brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.
Me Izraelin, ne vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë, sigurisë kibernetike dhe kundër terrorizmit.
Kryeministër, më lejoni të shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të thellë ndaj Izraelit për mbështetjen kritike gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit kundër Shqipërisë. Ashtu si Izraeli, Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie diplomatike me Iranin, një vend të madh me civilizim të jashtëzakonshëm, që është shndërruar në një ishull errësire nga urrejtja e verbër kundër çdo drite. Dhe ndërsa lutemi për shpirtrat e panumërt që kanë humbur ditët e fundit në zjarret e Khomeinizmit, mbajmë shpresë dhe bindje se ditët e vrasësve të Teheranit po vijnë drejt fundit.
Nga ana tjetër, mirëpresim rritjen e tregtisë dhe të investimeve, mbështetur në ekspertizën teknologjike të Izraelit, dhe sidomos marrëveshjet që po arrijmë ditë pas dite për të ndërtuar bashkërisht një prodhim të ri të mbrojtjes dhe sistemit ushtarak. Falë partneritetit me Izraelin, po rikrijojmë kushtet për prodhimin “Made in Albania” të sistemeve të mbrojtjes, që të shtrihet edhe jashtë vendit.
Në këtë frymë të bashkëpunimit në rritje, do ta përurojmë nesër, siç ju e përmendët, hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, që synon të forcojë lidhjet e biznesit dhe të promovojë Shqipërinë dhe mundësitë e saj si një vend që po zhvillohet fuqishëm.
Së fundi, por jo nga rëndësia, dua ta përmbyll me notën më mbresëlënëse dhe më inkurajuese në këtë marrëdhënie, atë të turizmit dhe shkëmbimeve midis njerëzve, të cilat më së fundi po rriten ashtu siç duhet, mbështetur nga fluturimet e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Shqipërisë.
Dua të ftoj ngrohtësisht të gjithë popullin hebre të vizitojë Shqipërinë dhe të zbulojë një tokë të jashtëzakonshme, jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti i saj, që siç një vëzhgues hebre e përshkroi para Luftës së Dytë Botërore, është një vend ku hebrenjtë mund të jetonin hapur, të sigurt dhe me dinjitet të plotë.
Faleminderit, Kryeministër!”
“`
