Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar të hënën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur dy kërkesa zyrtare për nisjen e Dialogut Strategjik. Njëra nga këto kërkesa ka të bëjë me energjinë, ndërsa tjetra ka një natyrë më politike.
“Një kërkesë lidhet me energjinë, ndërsa tjetra ka natyrë më politike,” ka thënë Vuçiç më 26 janar për televizionin Blic. Ai nuk ka dhënë hollësi të mëtejshme lidhur me këto kërkesa.
Vuçiç i kishte përmendur për herë të parë këto kërkesa pesë ditë më parë, pas një takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Ai kishte deklaruar atëherë se Serbia i ishte bërë me dy kërkesa zyrtare për të nisur Dialogun Strategjik me SHBA-në. Që nga ajo kohë, as Beogradi, as Uashingtoni nuk janë prononcuar më tej.
As Presidenca dhe Qeveria e Serbisë, ashtu si edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të ofruar më shumë sqarime.
Dialogu Strategjik, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e zhvillojnë me disa vende, synon thellimin e bashkëpunimit mes dy palëve dhe mbulon një gamë të gjerë fushash, duke filluar nga ekonomia deri te siguria dhe politika e jashtme. Uashingtoni e konsideron luftimin e ndikimit kinez dhe rus si një nga interesat kryesore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Vuçiç ka theksuar se këto kërkesa nuk janë diskutuar në një takim të jashtëzakonshëm të Qeverisë Serbe më 25 janar, por do të jenë subjekt diskutimi në ditët në vijim.
Ulja e varësisë së Ballkanit nga energjia ruse ka qenë një nga synimet e përmendura edhe në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së, të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. I njëjti ligj përmend gjithashtu nevojën për zvogëlimin e ndikimit kinez.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin rëndësi të madhe përparimit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Në këtë kontekst, SHBA-ja ka theksuar se do të mbështesë procesin drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, të bazuar në njohjen reciproke.
Lidhur me Dialogun Strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë, është folur për herë të parë në gusht të vitit 2025, mirëpo ai nuk ka filluar ende.
Dialogu Strategjik ishte planifikuar të niste edhe mes Kosovës dhe SHBA-së, por autoritetet amerikane e pezulluan atë në shtator të vitit të kaluar për një periudhë të pacaktuar, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë. Dialogu ishte planifikuar për të forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike.
**Vuçiç: Aksionet ruse në NIS prekin vlerën e 1 miliard eurove**
Presidenti i Serbisë ka deklaruar se aksionet ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), të cilat pritet të blihen nga kompania hungareze MOL, kapin vlerën e 900 milionë deri në 1 miliard euro. Ai ka shtuar se Serbia ishte e gatshme të paguante dyfishin e kësaj shume.
“Kishim paratë gati për të paguar dy miliardë euro. Të paguajmë edhe më shumë sesa aq,” ka përsëritur Vuçiç për Blic.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS) është nën sanksione amerikane që nga fillimi i vitit 2025, për shkak të pronësisë së një numri të konsiderueshëm aksionesh nga Rusia. Autoritetet në Beograd synojnë të ndryshojnë këtë situatë, pas finalizimit të marrëveshjes për shitjen e aksioneve ruse të NIS-it te MOL-i hungarez.
Vuçiç ka shpjeguar se për të, arsyet pse aksionet ruse në NIS nuk i janë ofruar Serbisë janë të qarta dhe të kuptueshme, por ai nuk dëshiron t’i bëjë publike për të mos rrezikuar interesat e shtetit.
I pyetur rreth marrëdhënieve aktuale të Serbisë me Rusinë, Vuçiç ka thënë se ato janë “të mira”. Serbia vazhdon të ketë bashkëpunim të ngushtë me Rusinë, pavarësisht thirrjeve të Perëndimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Kremlinit pas fillimit të luftës në Ukrainë.
