Shefi i NATO-s: Europa nuk mund ta mbrojë veten pa SHBA-të
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi të hënën, gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian, se “të gjithë ata që mendojnë se Europa mund të mbrohet vetë pa Shtetet e Bashkuara, le të vazhdojnë të ëndërrojnë”.
Komentet e zotit Rutte vijnë disa ditë pas tërheqjes së presidentit Donald Trump nga kërcënimi i tij për rritjen e tarifave doganore ndaj vendeve europiane, të cilat kundërshtuan ambicien e tij për Groenlandën. Ai ra dakord me NATO-n për një kornizë marrëveshjeje për të ardhmen e Arktikut.
Sipas zotit Rutte, kjo marrëveshje përfshin dy pika kryesore pune për Groenlandën, që synojnë të ulën tensionet mes SHBA-ve dhe BE-së. Kolona e parë e marrëveshjes i jep NATO-s një rol më të madh në mbrojtjen e Arktikut, me fokusin kryesor te gjetja e mënyrave të përbashkëta për të frenuar ndikimin rus dhe kinez në rajon. Kolona e dytë, e cila nuk kërkon pjesëmarrjen e NATO-s, lejon SHBA-të, Danimarkën dhe Groenlandën të vazhdojnë bisedimet.
Danimarka ka qeverisur Groenlandën për 300 vite, pavarësisht se ishulli ndodhet 3000 kilometra larg. Groenlanda mbeti pjesë e Danimarkës pas rënies së monarkisë në vitin 1814, një periudhë kur Danimarka dhe Norvegjia u ndanë. Në vitin 1916, Shtetet e Bashkuara njohën të drejtën e Danimarkës mbi Groenlandën, nëpërmjet një marrëveshjeje që u mundësoi amerikanëve të blinin një koloni daneze në Karaibe.
Groenlanda, ishulli më i madh në botë, ndodhet mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut. Pozicioni i saj strategjik e bën atë të rëndësishme, veçanërisht në rastin e sulmeve me raketa. Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-të planifikuan të vendosnin raketa bërthamore në ishull, por u tërhoqën nga ky plan për shkak të sfidave inxhinierike dhe kundërshtisë së fortë daneze.
