Transferimi i Kadastrës: Çuçi sugjeron praninë e qeverisë në Vlorë
Bledi Çuçi, drejtues politik i PS në Vlorë, duke u pyetur nga gazetarët për mbylljen e Kadastrës në Vlorë, deklaroi se nuk kishte informacion mbi këtë zhvillim.
“Kur ka dalë vendimi? Sot ka dalë? Nuk e di,” u shpreh Çuçi. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të këmbëngulë që zyra e Kadastrës të qëndrojë në qytetin bregdetar, Çuçi shtoi se mendon që “edhe qeveria duhet të vijë në Vlorë”.
Në një deklaratë për mediat, Çuçi theksoi se nuk disponon informacion zyrtar lidhur me këtë vendim, i cili u bë publik vetëm sot. Ai shtoi se ende nuk është njohur me përmbajtjen e tij dhe nuk ka detaje rreth arsyeve të mundshme të këtij ndryshimi të papritur.
Vendimi ka nxitur reagime edhe nga stafi i Kadastrës së Vlorës. Punonjësit kanë përgatitur një peticion drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës dhe Prefektes së Vlorës, duke kërkuar rishikimin e vendimit dhe moslargimin e Kadastrës nga qyteti i Vlorës.
