Organizatat e medias i bëjnë thirrje deputetëve: Mos e votoni projektligjin për shpifjen
Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të lirisë së medias u mblodhën para Kuvendit të Shqipërisë, pak para seancës plenare ku pritet të votohet paketa e ndryshimeve në Kodin Penal, që kanë të bëjnë me shpifjen, fyerjen dhe sigurinë e gazetarëve.
Në një deklaratë për mediat, Blerjana Bino nga SCiDEV theksoi se shoqëria civile e ka ndjekur procesin që nga fillimi dhe ka kontribuar në konsultimet publike me një kërkesë të qartë: dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, në përputhje me standardet evropiane.
Në një deklaratë para Kuvendit, pak para nisjes së seancës plenare, ata u kanë bërë thirrje deputetëve të mos i votojnë ndryshimet, pasi ato nuk përmbushin standardet e Bashkimit Europian.
Bino paralajmëroi se teksti që pritet të votohet nuk e realizon dekriminalizimin e plotë. Sipas saj, përjashtimi i parashikuar është i kufizuar dhe i bazuar në status, vetëm për “gazetarë të regjistruar dhe të njohur” dhe vetëm për veprën e shpifjes, ndërsa fyerja mbetet vepër penale.
“Kjo qasje bie ndesh me standardet evropiane, sepse liria e shprehjes nuk mbrohet për shkak të statusit profesional, por për shkak të interesit publik dhe mirëbesimit,” u shpreh ajo.
Më tej shtoi se Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem regjistrimi të gazetarëve, pasi kjo krijon pasiguri juridike dhe rrezikon mekanizma kontrolli mbi median.
