Importet e ushqimeve janë rritur me 23% në pesë vite; importohen më lirë, shiten më shtrenjtë
Viti pas viti, Shqipëria po rrit varësinë nga ushqimet e importit. Kjo situatë vijon si pasojë e uljes së prodhimit vendas dhe nevojave më të larta për konsum, veçanërisht nga sektori i turizmit.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2025 u importuan 1,347,550 tonë ushqime, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.3%. Edhe vlera e importeve ka njohur rritje, me 3.9%. Megjithatë, të dhënat nxjerrin në pah një tendencë interesante: ndërsa sasia e ushqimeve të importuara po rritet me ritme të qëndrueshme, çmimi mesatar për kilogram i këtyre importeve po bie. Kjo do të thotë se ushqimi i importuar po bëhet gjithnjë e më i lirë.
Kjo ulje e kostos për kilogram nuk reflektohet në tregun e pakicës, ku çmimet, si të ushqimeve ashtu edhe të produkteve në rajonet e supermarketeve, vazhdojnë të shtrenjtohen.
Në vitin 2020, Shqipëria importoi rreth 1.09 milionë tonë ushqime dhe pije. Pesë vite më vonë, në vitin 2025, kjo sasi arriti në 1.35 milionë tonë, duke përfaqësuar një rritje prej mbi 250 mijë tonësh, ose rreth 23% më shumë.
Në vitet e fundit, konsumi i brendshëm po mbështetet gjithnjë e më shumë tek tregjet e huaja për të plotësuar nevojat bazë ushqimore. Njëkohësisht, kërkesa është rritur ndjeshëm edhe për shkak të turizmit.
Në të njëjtën periudhë, vlera totale e importeve në lekë është rritur, por jo në përputhje me rritjen e sasive. Nga rreth 110.9 miliardë lekë në vitin 2020, importet arritën në mbi 162 miliardë lekë në vitin 2025. Pavarësisht se Shqipëria shpenzon më shumë në terma absolutë për ushqime të importuara, çdo kilogram ushqim importi ka kushtuar më pak vit pas viti.
Çmimi mesatar për kilogram, i cili arriti kulmin në vitin 2022 (rreth 146 lekë/kg) gjatë krizës globale të çmimeve pas luftës në Ukrainë, ka pësuar një rënie graduale deri në rreth 120 lekë/kg në vitin 2025. Kjo përbën një ulje prej afro 18% në vetëm tre vjet.
Favorizimi nga kursi i këmbimit ka qenë dukshëm në mbështetje të importuesve. Euro u këmbye mesatarisht me 97 lekë në vitin 2025, ndërsa në vitin 2015 ishte rreth 140 lekë.
Shqipëria sot blen ushqime më lirë në tregjet ndërkombëtare sesa gjatë periudhës së pikut të krizës, por sasia e blerë është shumë më e madhe. Ulja e çmimit për njësi ka ndihmuar që faturat e importeve të mos rriten në masë aq sa sugjeron rritja e fortë e sasive, duke amortizuar kështu presionin mbi çmimet e brendshme.
Kjo tendencë tregon një varësi gjithnjë e në rritje nga furnizimi i jashtëm për ushqimet bazë, duke e bërë ekonominë më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare në të ardhmen.
Një pjesë e rritjes së volumit të importeve buron nga vende si Turqia, Ballkani, Amerika Latine dhe tregje të tjera ku prodhimi bujqësor është më i lirë krahasuar me vendet e BE-së.
Rritja e turizmit dhe e konsumit urban ka sjellë një kërkesë më të lartë për produkte të standardizuara, të paketimit industrial dhe të prodhuara në seri të mëdha. Këto produkte janë zakonisht më të lira për njësi sesa prodhimet artizanale apo ato vendore.
Nga ana tjetër, prodhimi vendas nuk po rritet në ritmin e kërkesës. Kostot e larta të prodhimit vendas bëjnë që shumë produkte shqiptare të jenë më të shtrenjta se homologët e tyre të importuar. Si pasojë, tregtarët dhe përpunuesit po zgjedhin mallin e huaj, i cili ofrohet më lirë dhe në sasi më të mëdha.
Burimi: INSTAT
