Topalli kritikon qeverinë: Qytetarët numërojnë qindarkat

Topalli: Qytetarët numërojnë qindarkat ndërsa pushteti numëron projekte imagjinare

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, akuzoi qeverinë, duke u shprehur se ndërkohë që qytetarët numërojnë qindarkat, pushteti numëron projekte imagjinare.

Topalli tha se ndërkohë që flitet për satelitë dhe prodhim armësh, në urgjencën e Spitalit ikin dritat. E gjitha kjo, sipas deputetes, është një hendek moral i pushtetit.

Topalli vijoi me akuza duke thënë se përmes AKSHI-t, miliona euro po përqendrohen në një rreth të ngushtë të lidhur me pushtetin.

“Jemi mësuar me premtime madhore dhe jetë të vogël për qytetarët. Sot flasim për satelitë, Smart City, prodhim armësh e makina lufte; fjalë të mëdha, tituj propagandistikë. Në urgjencën e spitalit ikin dritat dhe nuk ka as gjenerator. Ky është hendek moral i pushtetit, nga satelitët në qiell te errësira në shtratin e pacientit. Na flasin për shëndetësi moderne por mungon energjia, aparatura, siguria bazë dhe pajisjet. Na flasin për zhvillim në teknologji por pensionet janë më të ulëtat në Evropë. Qytetarët numërojnë qindarka ndërsa pushteti numëron projekte imagjinare. Ky është ikje nga realiteti dhe kur refuzohet, gënjeshtra bëhet sistem.

Ministra të arrestuar për korrupsion, të tjerë nën hetim, zyrtarë që bien një nga një jo si aksident por si model qeverisjeje. Kur korrupsioni bëhet sistem, ai shfaqet në asfalt, mungesë gjeneratorësh etj. Rrugë që çahen nga pesha e korrupsionit, jo nga pesha e makinave e as nga shirat. Tunele që pikojnë pa u hapur se janë ndërtuar për tendera dhe jo për jetën e njerëzve.

Pastaj vjen mashtrimi i ri, dixhitalizimi. Përmes AKSHI, miliona euro përqendrohen në një rreth të ngushtë të lidhur me pushtetin,” tha Topalli.

Scroll to Top