“`html
Celibashi: Reforma territoriale duhet të miratohet në kohë, zgjedhjet e 2027 rrezikojnë përgatitjet
Datë publikimi: 22.08.2026
Reforma e re administrative-territoriale pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kërkon qartësi dhe kohë të mjaftueshme për përgatitjen e procesit zgjedhor.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka shprehur shqetësimin se ndryshimi i hartës territoriale kërkon kohë për t’u zbatuar në aspektin infrastrukturor, logjistik dhe organizativ.
“Do të ishte mirë që koha në dispozicion të jetë më shumë se 6 muaj, 7 muaj, 8 muaj, 9 muaj. Nuk e di sa kohë praktikisht do të ngelet dhe nuk mund ta them sot se sa mund të afektojë në cilësinë e përgatitjeve, nga pikëpamja infrastrukturore, logjistike, organizative të zgjedhjeve të ardhshme,” deklaroi Celibashi në një intervistë për Top Channel.
Sipas tij, një nga momentet kyçe do të jetë dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës. Ai shtoi se ende nuk mund të përcaktojë pasojat ligjore nëse ndarja e re territoriale do të miratohej nga Kuvendi pasi Presidenti të ketë shpallur datën e zgjedhjeve.
“Ne kemi nevojë për qartësi,” theksoi Celibashi, duke sqaruar se çështja nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive që do të përcaktojë harta e re, por me nevojën që KQZ të ketë kohë për të organizuar procesin zgjedhor mbi bazën e ndarjes së re.
Ndërkohë, reforma territoriale është kundërshtuar nga 15 bashki, ku janë zhvilluar protesta kundër hartës së propozuar. Opozita ka kërkuar që ndarja e re të vendoset përmes referendumit, por edhe ky skenar përballet me kufizime kohore dhe procedurale.
Celibashi ka sqaruar se referendumi nuk mund të zhvillohet në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare apo ato vendore. Për më tepër, kërkesa për referendum do t’i nënshtrohej edhe shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e saj.
Harta e re administrative-territoriale ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik. Socialistët synojnë që propozimi të kalojë në Kuvend gjatë muajit tetor. Ky afat përkon me periudhën kur Presidenti i Republikës pritet të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të zhvillohen në një nga të dielat e periudhës 15 prill–15 maj 2027.
“`
