Kredia për jashtë vendit rritet 57%

Kredia për huamarrësit jashtë vendit u rrit 57% vitin e kaluar

Kredia e dhënë nga bankat shqiptare për huamarrësit jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025. Në fund të muajit nëntor, kredia për huamarrës jorezidentë në Shqipëri arriti në rreth 71.4 miliardë lekë. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 56.6% krahasuar me një vit më parë dhe aktualisht ndodhet në nivelet më të larta që prej fillimit të vitit 2018.

Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor 2025, huaja për jorezidentët përbënte rreth 7.2% të portofolit të sektorit bankar, nga 5.3% që zinte një vit më parë.

Kredia e sektorit bankar për jorezidentët arriti nivelet më të larta historike në mesin e vitit 2017. Megjithatë, edhe në atë periudhë, kredia ndaj jashtë vendit ishte e përqendruar në pak banka të mëdha të sistemit. Një pjesë e konsiderueshme e saj lidhej me aktivitetin e degës së BKT në Kosovë. Pas ndarjes së kësaj dege nga banka mëmë në Shqipëri në fillim të vitit 2019, portofoli i saj nuk u klasifikua më si hua direkte e bankave shqiptare, duke shkaktuar një rënie të ndjeshme të kredisë së sektorit për jorezidentët.

Aktualisht, Credins Bank ka degë edhe në tregun e Kosovës, të cilat vazhdojnë të konsiderohen pjesë e bankës mëmë në Shqipëri. Nga pikëpamja statistikore, portofoli i Credins Kosovë klasifikohet si kredi për jorezidentët, edhe pse banka operon si entitet lokal në Kosovë. Statistikat nga Shoqata e Bankave të Kosovës tregojnë se portofoli i Credins Kosovë në fund të 9-mujorit 2025 vlerësohej në 81.6 milionë euro, ose rreth 8 miliardë lekë. Brenda një viti, portofoli i kredisë së Credins Kosovë është rritur me gati 13%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për subjektet jorezidente është kryesisht për bizneset dhe karakterizohet nga maturiteti afatgjatë. Mbështetur në faktin se më shumë se gjysma e depozitave të sektorit bankar shqiptar janë në monedhën Euro, kjo mundëson investime edhe jashtë vendit.

Megjithatë, investimet në dhënien e kredive mbeten modeste krahasuar me zërat e tjerë të aktiveve jorezidente. Investimet e sektorit bankar jashtë vendit dominohen nga letra me vlerë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor, vlera e investimit të sektorit bankar në letra me vlerë të subjekteve jorezidente arriti në 285.1 miliardë lekë, një rritje prej 6% krahasuar me një vit më parë. Ulja e normave të interesit për Euron vitin e kaluar duket se ka ngadalësuar investimin në letra me vlerë të emetuesve të huaj, duke favorizuar më shumë dhënien e kredive për klientë jorezidentë.

Scroll to Top