Ish-senator francez dënohet me 4 vite burg për drogim dhe abuzim seksual

Ish-senator francez, Joel Guerreau, dënohet me 4 vite burg për drogim dhe abuzim seksual.

Joel Guerreau, një ish-senator francez, është shpallur fajtor për drogimin e ish-deputetes Sandrine Jossot, pa dijeninë e saj, me qëllim abuzim seksual. 68-vjeçari Guerreau u dënua të martën me katër vjet burg, nga të cilat të paktën 18 muaj duhet t’i vuajë.

Ky proces gjyqësor, që mori vëmendje të gjerë, vjen disa muaj pas rastit të Dominique Pélicot, i cili u dënua me 20 vjet burg për drogimin e gruas së tij dhe lejimin që dhjetëra persona të panjohur ta përdhunonin atë në shtëpinë e tyre për një dekadë.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit për Guerreau, Sandrine Jossot deklaroi se ndjeu një “lehtësim të madh”. Avokati i Guerreaux njoftoi se do ta apelojë vendimin.

Prokurorët francezë kishin kërkuar një dënim me katër vjet burg për ish-senatorin, i cili pretendon se të dashurën e tij të vjetër e kishte droguar “pa dashje” në nëntor 2023, duke e cilësuar veten “idiot”. Guerreau, i cili mohon çdo motiv seksual ndaj Jossot, dha dorëheqjen nga Senati në tetor të vitit të kaluar. Menjëherë pas dorëheqjes, ai u përjashtua nga partia e qendrës së djathtë Horizons, ku bënte pjesë.

Të hënën e kaluar, 50-vjeçarja Jossot, dukshëm e shqetësuar, përshkroi në një gjykatë në Paris sesi filloi të frikësohej për jetën e saj gjatë vizitës në shtëpinë e Guerreaux në arondismentin e 6-të, ditën e sulmit. Ajo tregoi se kishte shkuar për të festuar rizgjedhjen e tij, por ndërsa mbrëmja përparonte, ajo filloi të kuptonte se ai ishte në një gjendje kërcënuese.

Deputetja, e cila ishte e vetmja e ftuar e Guerreaux atë natë, përshkroi shqetësimin e saj kur vuri re se shampanja që i ofroi senatori kishte një shije të çuditshme, të ëmbël dhe ngjitëse. “Mendova se mund të ishte shampanjë e keqe. Por pastaj ai këmbënguli ta trokiste përsëri. E gjeta të çuditshme,” tha ajo para gjykatës. Brenda pak kohësh, deputetja filloi të ndiente të përziera dhe rrahje të shpejta të zemrës dhe u largua shpejt nga apartamenti i Guerreaux për të shkuar në spital.

Testet toksikologjike zbuluan se ajo kishte një sasi të lartë ekstazi në gjak, një drogë që u gjet edhe në apartamentin e Guerreaux.

Avokati i Jossot theksoi në gjykatë se klientja e tij vuajti shumë pas incidentit. Ajo u detyrua të merrte gjashtë muaj pushim nga puna për t’iu nënshtruar trajtimeve për problemet psikologjike dhe fizike të shkaktuara nga incidenti.

Guerreau, nga ana e tij, pretendoi se kishte shtuar pluhurin e ekstazisë në një gotë një ditë më parë, për të luftuar një atak paniku, por në fund vendosi të mos e përdorte dhe e ktheu gotën në dollap. Sipas tij, natën tjetër ia ofroi aksidentalisht gotën të dashurës së tij. “Shkurt, jam idiot,” përfundoi ai.

Scroll to Top