Kushëriri flet për shqiptarin e vdekur në aksidentin në Rumani

Flet kushëriri i shqiptarit që humbi jetën në aksidentin e tifozëve të PAOK-ut

Një ditë pas aksidentit tragjik në autostradën DN6 në Rumani, ka reaguar kushëriri i shqiptarit Vasil Palo, një nga shtatë tifozët që humbën jetën. Në një deklaratë për median, Thomaq Ninka tregon se Palo jetonte në Greqi dhe se i ati i tij kishte ndërruar jetë, duke jetuar me motrën dhe të ëmën.

Sipas Ninkës, marrëdhënia e tyre u zbeh pasi i ati i viktimës ndërroi jetë dhe e ëma u rimartua. Kushëriri i Palos shprehet i pikëlluar, duke treguar se e mori vesh lajmin nga televizioni dhe se kjo tragjedi është një fatkeqësi e madhe.

Kushëriri i viktimës tha:

  • “Jam kushëriri i parë i babait të Vasilit. Ne e morëm vesh lajmin nga TV, e dhanë lajmet. Djali kishte lindur në Greqi. Janë të rinj, kishin ikur të shihnin një ndeshje, nuk e di se çfarë ekipi ishte. Siç iknin me fugon, ishin përplasur me një kamion dhe kjo është ngjarja. Jetonte në Greqi dhe i ati i kishte ndërruar jetë, jetonte me motrën dhe të ëmën. Nuk kemi pasur shumë lidhje qëkur i vdiq i ati dhe e ëma u rimartua me një tjetër. Ne nuk dimë se çfarë ndodhte andej, s’kanë ardhur ndonjëherë këtu në Shqipëri ata. Ka gati 10 vite që i ka vdekur i ati, kur Vasili ishte rreth 13-14 vjeç. Ishin emigrantë në Greqi, nga Korça është edhe e ëma, të gjithë nga Korça dhe kanë ikur në emigrim siç ikin shqiptarët. Andej kanë lindur dhe djali dhe vajza. Fat i keq, fatkeqësi e madhe”, tha ai.
Scroll to Top