Starmer në shënjestër të kritikave pas takimit me Xi Jinping: Unë veproj gjithmonë në interesin tonë kombëtar
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se takimi me homologun e tij kinez, Xi Jinping, ishte shumë konstruktiv dhe se do të sjellë një forcim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne bëmë një përparim vërtet të mirë. Pra, bëhet fjalë për tarifat për uiskin, udhëtimin pa viza në Kinë dhe shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin për migracionin e parregullt, duke u përqendruar veçanërisht në anijet e vogla dhe pjesët e motorëve. Kemi rënë dakord për tarifat e uiskit dhe po shqyrtojmë se si do të ulen ato, si dhe cili është afati kohor,” shtoi ai.
Gjithashtu, Starmer deklaroi se duhet forcuar edhe bashkëpunimi për një fokus më të madh strategjik në siguri dhe mbrojtje.
“Marrëdhënia është shumë e mirë dhe e fortë mes vendeve,” shtoi ai.
I pyetur për reagimin dhe kritikat lidhur me marrëdhënien e ngushtë të Kryeministrit me Kinën, ai u përgjigj: “U them të gjithëve unë gjithmonë veproj në interesin tonë kombëtar. E di që, çfarëdo që të ndodhë në botë, gjëja më e rëndësishme për shumicën dërrmuese të njerëzve është kostoja e jetesës,” tha Starmer.
