Alarmi për paraburgimin e lartë në Shqipëri, pritet ndryshim i politikës penale
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, organizoi sot një konferencë të nivelit të lartë me temë “E drejta për liri dhe siguri personale – nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, duke u fokusuar veçanërisht në adresimin e problemit të paraburgimit në vend.
Në takim morën pjesë personalitete të rëndësishme, mes tyre Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë, dhe Theo Byl, Gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antwerp në Belgjikë.
Ministri i Drejtësisë theksoi se çështja e paraburgimit paraqet njërën nga sfidat më të ndjeshme dhe domethënëse për Shqipërinë. Ai shtoi se:
- “Të dhënat tregojnë qartë se përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor për të drejtat e njeriut, për prezumimin e pafajësisë dhe për proporcionalitetin e ndërhyrjes së shtetit.”
- Shqipëria vazhdon të ketë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Evropë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet e vuajtjes së dënimit janë të paraburgosur.
- Kohëzgjatja mesatare e qëndrimit në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, duke qenë 63% më e lartë.
- Mbi gjysma e personave në burgjet shqiptare janë ende pa një vendim të formës së prerë, dhe kjo periudhë është shpeshherë më e gjatë se standardet në vendet e Bashkimit Evropian, ku mesatarisht vetëm 1 në 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur.
Ministri Lamallari nënvizoi se Shqipëria, si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, duhet të braktisë politikën e ashpër penale të trashëguar nga e kaluara dhe të përqafojë standardet e familjes evropiane. Ai theksoi nevojën për:
- Rishikimin e Kodit të Ri Penal për të reflektuar marzhet e dënimit të Bashkimit Evropian për vepra penale të ngjashme.
- Ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për të garantuar qartë dhe pa ekuivok garancitë procedurale për lirinë dhe sigurinë e personit, në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ministri Lamallari nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se jurisprudenca e Strasburgut duhet të shërbejë si udhërrëfyes për përmirësime të brendshme. Dy magjistratët e pranishëm në takim, bazuar në njohuritë e tyre për situatën në Shqipëri, kanë përgatitur dy raporte të vlefshme për Këshillin e Evropës, me gjetje dhe rekomandime specifike për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në Shqipëri. Këto dokumente u janë vënë në dispozicion të gjithë pjesëmarrësve në takim.
