Bizneset përballen me probleme të vazhdueshme; sistemi self-care thuajse nuk funksionon
Megjithëse sistemi i self-care filloi të bëhej funksional për bizneset që nga pasditja e djeshme dhe sot Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) konfirmoi për “Monitor” se sistemi është në rregull, subjektet vijojnë të raportojnë probleme.
Një ekonomiste me inicialet I.K. shprehet: “Nuk mund të shkarkoj asnjë faturë, sistemi ende nuk funksionon siç duhet”. Një tjetër person, duke preferuar të mbetet anonim, thotë: “Sistemi nuk punon ende, duhet ta provosh 20 herë dhe sërish del mesazhi ‘ju lutem kontaktoni administratorin'”.
Armand Mala, kontabilist, vlerëson: “Fakti që u hap për një moment dhe pranoi 2-3 komanda nuk mjafton për ta quajtur funksional. Është totalisht jo funksional. Nëse të duhet të provosh gjithë ditën për një veprim që normalisht kërkon 3 klikime, nuk besoj se mund të quhet funksional”. Një tjetër ekonomiste, E.S., raporton: “Nuk punon pjesën më të madhe të kohës dhe nuk janë transmetuar të gjitha të dhënat deri më sot. Nuk mund të shkarkoj dot asnjë faturë, vetëm mund t’i shikoj”.
Të tjerë ankohen se edhe kur arritën të aksesonin faturat e blerjes, ato u shfaqën fillimisht deri në datën 21 janar, dhe më pas në 24 janar.
Burime nga AKSHI pohuan sërish se sistemi funksionon: “Ndoshta ka pak ngarkesë, por është totalisht funksional. Është rikonfirmuar disa herë sot”.
Për javë të tëra, aktiviteti i subjekteve u bllokua për shkak të mosfunksionimit të sistemit self-care, i cili menaxhohet nga e-Albania. Dy ditë më parë, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), që përfaqëson anëtarë në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) me një shkresë. Kjo shkresë i referohej problemeve të përsëritura në sistemin e fiskalizimit, të cilat po sjellin bllokime serioze në aktivitetin ekonomik dhe rrisin riskun e penaliteteve ndaj bizneseve, për shkaqe që nuk vijnë nga vetë subjektet tatimpaguese.
Edhe Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë kërkoi një plan emergjence dhe një shtyrje të afateve për dorëzimin e bilanceve. Sipas shoqatës, procesi i rakordimit të shitjeve dhe konfirmimit të blerjeve midis asaj që raporton softueri dhe asaj që është “konsumuar” nga serveri tatimor është kthyer në një mision të pamundur. Pa këtë pasqyrë të qartë, hartimi i Pasqyrave Financiare kthehet në një ushtrim hamendësimi, duke cënuar kështu parimin bazë të vërtetësisë.
