Lavrov: Kosovën e njohët pa referendum, pse për Krimenë e Donbasin nuk vlen?
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përmend sërish Kosovën për të legjitimuar veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe qëndrimin kundër Perëndimit, të cilin sipas Moskës, e cilëson si përdorues të standardeve të dyfishta.
Në një prononcim për mediat turke këtë të enjte, shefi i diplomacisë ruse theksoi se Perëndimi shpalli pavarësinë e Kosovës duke u bazuar vetëm te parimi i vetëvendosjes, duke ofenduar kështu popullin serb dhe historinë e tij. Ndërkohë, sipas tij, kjo e drejtë nuk ishte më e zbatueshme në Krime, gadishull të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014 nga Ukraina.
“Nuk pati referendum në të ashtuquajturën Kosovë: ata thjesht e shpallën të pavarur, duke ofenduar kështu popullin serb dhe historinë e tyre. Dhe kur një referendum u mbajt në Krime sipas të gjitha rregullave, Perëndimi deklaroi se e drejta për vetëvendosje nuk është e zbatueshme atje, sepse integriteti territorial është i zbatueshëm,” tha Lavrov.
Lavrov i referohet gjithashtu rastit të Groenlandës për të mbështetur qëndrimin e tij se Perëndimi përdor standarde të dyfishta:
“Tani ia kemi bërë përsëri pyetjen Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe ekipit të tij: nëse është deklaruar publikisht se ai dhe udhëheqja e tij kolektive në OKB njohin të drejtën e popullit të Groenlandës për vetëvendosje, se është populli i Groenlandës ai që vendos për fatin e tij dhe jo dikush tjetër, atëherë a e njeh OKB-ja të njëjtën të drejtë për njerëzit e Donbasit, Novorossisë dhe, natyrisht, Krimesë?”
Lavrov shkon më tej duke pretenduar se Beogradi garantonte të gjitha të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, ndërsa në Krime dhe Donbas, sipas tij, ukrainasit ndaluan gjithçka me ligj.
