Qeveria gjermane planifikon të heqë ditën e punës tetë-orëshe, sindikatat shprehen kundër
Ministria Gjermane e Ekonomisë po synon heqjen e ditës tradicionale tetë-orëshe të punës, duke kërkuar përshpejtimin e reformës së planifikuar mbi orarin e punës. Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është forcimi i sektorit të turizmit, i cili aktualisht operon me orare më fleksibël.
Christoph Ploss, koordinator federal për Industrinë Detare dhe Turizmin, deklaroi gjatë prezantimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit para kabinetit në Berlin se “vendosja e një kohe maksimale javore pune, në vend të kufirit ditor, duhet të realizohet brenda vitit 2026”.
Çfarë parashikon ligji aktual
Legjislacioni në fuqi në Gjermani kufizon ditën e punës në tetë orë. Zgjatja deri në dhjetë orë lejohet vetëm në raste të veçanta, me kompensim për punonjësit në formën e pagesës shtesë ose kohë pushimi.
Pas zgjedhjeve të vitit 2025, partitë qeverisëse CDU/CSU dhe SPD ranë dakord në marrëveshjen e koalicionit që ky model të zëvendësohet me një maksimum javor të orëve të punës. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, kjo reformë synon gjithashtu të krijojë një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj private për punonjësit.
Reagimi i sindikatave
Planet e qeverisë kanë nxitur reagime të forta nga sindikatat gjermane. Frank Wernecke, kreu i sindikatës Ver.di, i cilësoi ndryshimet si një “dritë jeshile për punëdhënësit që të shfrytëzojnë maksimalisht punëtorët, pa marrë parasysh shëndetin e tyre”.
Në një deklaratë për gazetën Bild, Wernecke paralajmëroi se sindikata është e gatshme të protestojë si në vendet e punës ashtu edhe në rrugë për të mbrojtur ligjin aktual që garanton ditën tetë-orëshe të punës.
Lehtësimi i kufizimeve mbi orarin ditor të punës, i parashikuar në marrëveshjen qeveritare, tashmë është përfshirë në Strategjinë Kombëtare për Turizmin, miratuar nga kabineti të mërkurën. Shoqatat e turizmit kanë kërkuar prej vitesh fleksibilizimin e rregulloreve ekzistuese, duke argumentuar se ato pengojnë zhvillimin e sektorit.
Sipas planit të qeverisë, ora maksimale javore e punës do të zbatohet gradualisht në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërsa Ministria e Punës pritet të paraqesë projektligjin përkatës deri në verë.
