Paralajmërimet e SHBA-së për sulme ndaj Iranit: Destrojeri amerikan ankorohet në portin izraelit
Destrojeri amerikan, i njohur me emrin USS Delbert D. Black, është ankoruar këtë mëngjes në portin e Eilatit, në Detin e Kuq të Izraelit. Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar Iranit.
Sipas ushtrisë izraelite, mbërritja e USS Delbert D. Black ishte e planifikuar dhe bën pjesë në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe ushtrisë amerikane. Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dislokuar asete ushtarake në Lindjen e Mesme, duke forcuar kapacitetet e tyre ushtarake dhe mbrojtëse në rajon. Kjo lëvizje i ka dhënë presidentit Trump opsionin për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit, pas vrasjes së protestuesve nga regjimi iranian.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka deklaruar se ushtria amerikane është e gatshme të zbatojë çdo vendim që presidenti Trump do të marrë. Trump i ka bërë gjithashtu thirrje Iranit të kthehet në tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor, duke kërcënuar me pasoja më të rënda në rast të mosbindjes. Irani është përgjigjur duke theksuar se do të reagojë “menjëherë” në rast të ndonjë sulmi.
