Aksident tragjik në Itali, humbin jetën 2 të rinj shqiptarë
Dy shtetas shqiptarë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor që ka ndodhur në Savigliano, Itali.
Sipas mediave italiane, automjeti me të cilin udhëtonin viktimat, të cilët ishin rreth 20 vjeç, është përplasur me një kamion.
Në mjetin e rëndë udhëtonin dy persona, një burrë dhe një grua, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar për trajtim mjekësor në spitalet e Saviglianos dhe Cuneos.
Ndërkohë, viktimat po udhëtonin në një automjet së bashku me një person të tretë, i cili ka mbetur i plagosur rëndë.
Dy të rinjtë shqiptarë janë nxjerrë pa shenja jete nga automjeti nga ekipet e urgjencës.
Si pasojë e aksidentit, qarkullimi në rrugë u bllokua për një kohë të gjatë.
Forcat e rendit po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
