“`html
Mbërritën çmimet negative të energjisë elektrike
Nga Laert Dogjani
Kriza energjetike, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, solli çrregullime në furnizime, duke shkaktuar një rritje të çmimeve të energjisë elektrike në mbi 500 euro/MWh në gusht 2022. Që atëherë, një numër i konsiderueshëm i parkëve fotovoltaikë kanë hyrë në prodhim dhe shumë të tjerë janë në proces ndërtimi dhe aplikimi. Siç ka ndodhur edhe në vende të tjera, tregu është ngopur dhe këto impiante kanë filluar të shkaktojnë ulje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike në bursën Alpex. Këto çmime kanë rënë në 25 euro/MWh në një muaj me konsum të lartë si Dhjetori 2025 dhe nën 30 euro/MWh në 15-30 ditë të janarit 2026.
Ky fenomen, i njohur teknikisht si “kanibalizim”, ku parket PV “hanë” çmimin e shitjes së energjisë që prodhojnë, ka arritur një pikë kritike. Përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Europian do të lejojë formimin e çmimeve negative në treg. Edhe pse mund të duket absurde për publikun e gjerë, kjo mund të ndodhë shpesh për çmimet me shumicë të energjisë elektrike dhe më rrallë për çmimet me pakicë (domethënë, OSHEE të na paguajë për konsumin tonë).
Kjo situatë krijohet për arsye se energjia elektrike është një produkt unik, veçanërisht ajo e prodhuar nga parket PV, për disa arsye:
- Nuk mund të depozitohet/magazinohet.
- Prodhimi realizohet kryesisht në orarin 10:00 – 16:00, kur kërkesa është e ulët.
- Greqia, dikur importuese neto, tani mund të eksportojë energji PV drejt Shqipërisë.
- Nuk ka lidhje të mjaftueshme për të eksportuar energjinë në vendet fqinje.
Çmimet pranë zeros rrezikojnë masivisht investimet e kryera dhe ato që janë në proces. Me një kosto prej rreth 30-40 euro/MWh, këto investime rrezikojnë falimentimin dhe ndikojnë negativisht edhe në performancën e sistemit bankar, i cili ka kredituar në mënyrë të konsiderueshme këto projekte.
Grafiku i mëposhtëm paraqet një situatë tashmë jo fort teorike. Në vite me reshje të bollshme, siç duket të jetë viti 2026 deri më tani, rreziku që këto investime të humbasin para është i madh, nëse operojnë në treg të lirë dhe nuk mbështeten nga kontratat e parapagimit nga shteti. Me një çmim kaq të ulët, të ardhurat janë rreth 40.000 euro/ha-MW/vit. Parket PV, në krahasim, fitojnë dukshëm më pak për hektarë sesa fermat bujqësore, sidomos ato me sera. Vetëm kostoja e kreditimit, rreth 50.000 euro/vit/MW/ha, do të tejkalonte këtë nivel të ardhurash, pa llogaritur kostot operative.
Analiza e të dhënave për Shqipërinë dhe Kosovën (tregu i bashkuar energjetik) para vitit 2027, duke marrë parasysh kapacitetet e instaluara deri në vitin 2025 dhe 600 MW të energjisë së erës që pritet të hyjnë në prodhim vitin e ardhshëm, si dhe një rritje të konsumit prej 10%, tregon se çmimet negative janë një realitet i afërt.
Çmimet negative lejohen të formohen në bursën Alpex kur oferta tejkalon kërkesën. Përqindja e energjisë së detyrueshme për tregtim në Alpex është rreth 70%.
Cilat janë kushtet që çojnë në çmime negative?
Përveç muajve dhjetor dhe janar, gjatë orarit të pikut të kërkesës (18:00-22:00), oferta tejkalon kërkesën nëse:
- Ka reshje shiu dhe prodhim nga hidrocentralet.
- Ka prodhim nga era (që shpesh përputhet me reshjet).
- Ka kthjellime gjatë ditës.
Këto kushte janë të shpeshta gjatë shirave pranverorë dhe vjeshtorë, si dhe në raste si janari i sivjetëm. Duke shtuar këtu edhe 600 MW nga KEK (termocentralet dëmtohen nëse fiken plotësisht), oferta tejkalon kërkesën në çdo orar gjatë gjithë vitit, nëse plotësohen kushtet 1+2+3.
Skenarë “katastrofikë” për çmimet:
- Natë në periudhën prill – qershor: Digat e hidrocentraleve me rezervuar janë plot nga reshjet. Era fryn. Konsumi është minimal (550 MW). Eksporti maksimal (1200 MW). Kërkesa totale: 1750 MW. Oferta totale: 3896 MW (3296 MW të rinovueshme + 600 MW nga KEK). Rezultati: çmime negative.
- Ditë, ora 11:00: Shtohet prodhimi nga Solar PV. Era fryn, prurjet në lumenj vazhdojnë. Kërkesa totale: 2200 MW (500 MW në Shqipëri + 500 MW në Kosovë + 1200 MW eksport). Oferta totale: 4856 MW (4256 MW të rinovueshme + 600 MW nga KEK). Rezultati: çmime negative.
Paradoksi
Edhe nëse KESH dhe hidrocentralet private me rezervuar shkëputen nga rrjeti për të “mbështetur” Solar PV, energjinë e erës dhe HPP RoR (rrjedhje të lirë), oferta bie në 2628 MW. Përsëri, rezulton me çmime negative.
Pavarësisht çmimeve negative në treg, shumica e prodhuesve të energjisë nga Solar PV, HPP RoR dhe ndoshta edhe era, janë mbrojtur nga çmime “juridike” dhe dispeçerim prioritar, kosto që përballohet nga publiku. Renditja juridike e shkëputjeve të prodhimit (Curtailment Merit Order) është aktualisht e paqartë për vitin 2027.
Mësimet nga kriza në Spanjë sugjerojnë se në këtë skenar, fillimisht duhet të shkëputen prodhimet nga Solar PV, era dhe HPP RoR.
Investitorët në parket PV priren të besojnë se janë të mbrojtur juridikisht duke siguruar kontrata parapagimi nga shteti, sidomos për parket nën 2 MW. Megjithatë, numri i ditëve kur çmimet e tregut do të bien në kolaps dhe do të detyrojnë shkëputje për të mbrojtur rrjetin, do të jetë i konsiderueshëm. Në vend të mbrojtjes së çmimit të blerjes në kontratë, do të duhej që paratë e alokuara për këtë qëllim të:
- Financojnë lidhjen HVDC me Italinë, ku çmimi i shitjes së energjisë elektrike është më i lartë se çmimi i garantuar nga shteti në kontratë.
Duke u bazuar në llogaritjet, rezulton se kjo lidhje duhet të fillojë të ndërtohet menjëherë, jo të presë planifikimin.
Po ashtu, llogaritjet tregojnë se projekti mund të financohet me kthim pozitiv, pa pasur nevojë për financim nga palë të treta.
- Duhet përshpejtuar përmirësimi i ndërlidhjes me Malin e Zi.
- Duhet përshpejtuar përfundimi i ndërlidhjes me Maqedoninë e Veriut.
Për më tepër, të dhënat aktuale tregojnë se kapaciteti i ndërlidhjes duhet të jetë më i lartë se sa parashikohet, për shkak të rritjes së konsumit të energjisë, detyrimeve të integrimit në BE, zbatimit të NECP dhe shtimit të kapaciteteve prodhuese me ritëm më të shpejtë sesa zhvillimet e sektorit privat dhe vizioni i BE për transmetimin e energjisë nga Lindja në Perëndim.
Në përfundim, le të imagjinojmë se çfarë do të ndodhë me çmimet e energjisë me mbarimin e pritshëm të luftës në Ukrainë.
“`
