Irani kërcënon Bullgarinë: Të mos lejojë përdorimin e territorit për sulme
Irani i ka dërguar një paralajmërim Bullgarisë, duke i kërkuar të mos bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që territori bullgar të përdoret për një sulm kundër Iranit. Teherani kërcënon se do të godasë burimin e çdo agresioni ndaj tij.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, ka deklaruar se nëse Sofja ofron territorin ose infrastrukturën e saj Shteteve të Bashkuara për një sulm kundër Iranit, kjo do të konsiderohet nga Teherani si “një akt agresioni”.
“Bashkëpunimi i Bullgarisë me Shtetet e Bashkuara në një sulm kundër Iranit përbën një akt agresioni dhe Irani ka të drejtë të godasë burimin e çdo sulmi,” tha Baghaei, sipas agjencisë iraniane Fars.
Ai shtoi se vendet nuk kanë arsye të shqetësohen nga Irani, përveçse në rastin kur ato lejojnë përdorimin e territorit dhe infrastrukturës së tyre nga Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi iranian e lidhi këtë qëndrim me të drejtën e Teherit për t’iu përgjigjur çdo sulmi, duke pretenduar se sipas ligjit ndërkombëtar, goditja e burimit të një akti agresioni është një e drejtë legjitime.
“Ushtria dhe zyrtarët e Republikës Islamike nuk do të tregojnë asnjë butësi ndaj palëve agresive,” u shpreh ai, duke theksuar se Irani do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Mohimet e Teheranit për Ngushticën e Hormuzit
Gjatë një konference për shtyp, Baghaei foli edhe për situatën në Ngushticën e Hormuzit. Ai i cilësoi si “luftë komunikimi dhe propagandë” raportimet se ngushtica është e hapur dhe se përmes saj po transportohen çdo ditë disa milionë fuçi naftë.
Gjithashtu, zëdhënësi mohoi se Irani ka marrë një ftesë për t’iu bashkuar Marrëveshjes së Mbrojtjes së Mekës.
Në planin diplomatik, Baghaei njoftoi se ministri i Jashtëm i Omanit, Sayyed Badr Al-Busaidi, do të udhëtojë të martën drejt Teheranit. Gjatë vizitës, pritet që Al-Busaidi të zhvillojë bisedime me homologun iranian, Abbas Araghchi, për çështje dypalëshe dhe zhvillimet rajonale. Sipas palës iraniane, vizita synon forcimin e bashkëpunimit mes Teheranit dhe Muskatit, si dhe vijimin e konsultimeve politike mes dy vendeve që ndajnë dalje në Ngushticën e Hormuzit, me fokus te paqja dhe siguria në rajon.
