“`html
Qytetet ku fitimet nga qiradhënia ditore janë më të larta, nuk përfshijnë Tiranën.
Tirana, si porta kryesore hyrëse e Shqipërisë, është zakonisht destinacioni i parë për shumicën e vizitorëve. Durrësi, i afërt me kryeqytetin, tërheq turistët me plazhin e tij, restorantet dhe atmosferën e verës. Vlora dhe mbi të gjitha Saranda me Ksamilin, të njohur edhe si “Maldivet e Europës”, kanë fituar famë ndërkombëtare. Gjirokastra dhe Berati ofrojnë atraksione historike dhe arkitektonike unike, Korça tërheq me natyrën dhe stilin e jetesës të qetë, ndërsa Shkodra po bëhet një destinacion i ri për udhëtarët që kërkojnë eksperienca autentike.
Në këtë konkurrencë të fortë mes destinacioneve turistike, hapësira për biznese të reja është zgjeruar ndjeshëm. Shumë banorë kanë transformuar banesat e tyre në burime të ardhurash përmes qiradhënies ditore, ndërsa të tjerë kanë investuar duke marrë ambiente me qira për t’i kthyer në struktura akomodimi, duke synuar të përfitojnë nga fluksi turistik.
Sipas të dhënave të AirDNA, një platformë analitike për qiradhënien në Airbnb, nga 26.3 mijë njësi banimi të listuara për qira, rreth 39% gjenden në segmentin Vlorë-Sarandë, me 10.2 mijë njësi. Tirana renditet e dyta me 20% (5.2 mijë apartamente). Vendin e tretë e zë Durrësi së bashku me Golemin, me rreth 19% (3.8 mijë në Durrës dhe 1.3 mijë në Golem). Shkodra, një destinacion në rritje, zë vendin e katërt me 1.2 mijë apartamente të dhëna me qira ditore mesatarisht në vitin 2025, që përfaqësojnë 4.7% të totalit.
Megjithëse Tirana konkurron për numër turistësh, ajo nuk del fituese përsa i përket çmimeve të qiradhënies ditore. Të dhënat nga AirDNA tregojnë se të ardhurat ditore në kryeqytet janë më të ulëtat krahasuar me destinacionet e tjera. Çmimi mesatar për një natë në Tiranë është 42.4 euro, me një fitim neto prej 25 euro. Zona Vlorë-Sarandë kryeson me çmime që arrijnë deri në 66 euro, me një fitim neto prej 37.5 euro. Golemi dhe Durrësi gjithashtu janë konkurrues, me çmime përkatësisht 68.1 euro (neto 34.2 euro) dhe 62.4 euro (neto 33.6 euro).
Vlora dhe Saranda kryesojnë për numrin më të lartë të net-qëndrimeve, duke arritur 1.5 milionë në vitin 2025. Tirana renditet e dyta me 1.25 milionë net-qëndrime të prenotuara përmes Airbnb, duke qenë stacioni kryesor për vizitorët, veçanërisht jashtë sezonit. Durrësi dhe Golemi zënë vendin e tretë me rreth 770 mijë net-qëndrime. Shkodra po bëhet gjithashtu një konkurrent i fortë, me rreth 200 mijë net-qëndrime të regjistruara në vitin 2025.
Pronarët e njësive në Vlorë dhe Sarandë arrijnë të gjenerojnë të ardhurat më të larta totale, falë çmimeve më të larta dhe numrit më të madh të net-qëndrimeve.
Tirana: të ardhurat mesatare rreth 750 euro/muaj
Në Tiranë, pronarët e apartamenteve të dhëna me qira përmes Airbnb kanë gjeneruar 31.2 milionë euro të ardhura në vitin 2025. Norma mesatare e zënies ishte 59%, duke treguar se apartamentet janë të zëna mesatarisht 16-17 ditë në muaj, me një kulm prej 65-67% gjatë muajve të verës. Edhe pse net-qëndrimet janë në rritje, rritja e numrit të apartamenteve të vëna në dispozicion në Tiranë ka penguar rritjen e çmimeve. Çmimi më i lartë ditor në kryeqytet u arrit në gusht (45 euro), por më pas zbriti në rreth 40 euro në dhjetor. Duke pasur parasysh se apartamentet janë të zëna rreth 50-60% të kohës, fitimi neto është përgjithësisht sa gjysma e çmimit ditor. Për shembull, në janar 2024, çmimi mesatar ishte rreth 40.8 euro, me një normë zënieje prej 39% të muajit (15-16 ditë), duke rezultuar në një fitim neto rreth 20 euro. Fitimi më i lartë mujor neto realizohet në gusht dhe shtator, rreth 30 euro. Mesatarja e fitimit ditor për Tiranën në vitin 2025 është 24.93 euro, me një kthim mujor rreth 750 eurosh.
Kashari është një zonë e preferuar në Tiranë për qiradhënien ditore, sidomos për strukturat me vila private. Përveç turistëve të huaj, ato përdoren nga të rinjtë për organizime të ndryshme. Të ardhurat totale nga qiradhënia në Kashar ishin 1 milion euro në vitin 2025. Në gusht, qiraja mund të arrijë deri në 100 euro në ditë, ndërsa në shkurt është më e ulëta, rreth 30 euro. Norma më e lartë e zënies është gjithashtu në gusht (60%), ndërsa pjesën tjetër të vitit luhatet në 40-50%. Mesatarja e fitimit për Kasharin në vitin 2025 është 32.7 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 982 eurosh.
Vlora dhe Saranda: rekord të ardhurash prej 57 milionë eurosh
Ndryshe nga Tirana, në Vlorë dhe Sarandë pronarët kanë arritur të marrin çmime më të mira gjatë muajve të verës, duke shfrytëzuar kërkesën e lartë për këto zona bregdetare. AirDNA i raporton këto dy qytete së bashku. Të ardhurat në Vlorë dhe Sarandë arritën një rekord prej 57 milionë eurosh në vitin 2025, duke përbërë gati 43% të të ardhurave totale nga Airbnb në të gjithë vendin. Në gusht, një njësi banimi jepej me qira mesatarisht 86 euro/ditë në Vlorë ose Sarandë, më e larta në Shqipëri, ndërsa në korrik 82 euro. Gjatë muajve të tjerë, qiraja luhatet midis 40-60 euro/ditë. Apartamentet në verë ishin të zëna në 60-70% të kohës. Fitimet neto janë më të larta, duke arritur rreth 55-60 euro në korrik dhe gusht. Jashtë sezonit, kthimi është më i ulët, rreth 20-25 euro. Mesatarja e fitimit për Vlorën dhe Sarandën në vitin 2025 është 37.5 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 1125 eurosh.
Durrësi dhe Golemi: një biznes i mirë
Në zonën e Durrësit dhe Golemit është më e zhvilluar industria hoteliere, e cila tërheq turizmin e organizuar, kryesisht nga Polonia dhe Çekia. Për shkak të numrit të madh të apartamenteve në bregdet, edhe qiradhënia është kthyer në një biznes fitimprurës. Të ardhurat totale nga qiradhënia përmes Airbnb arritën në 20.7 milionë euro në Durrës dhe 5.1 milionë euro në Golem në vitin 2025. Çmimet ditore janë rritur ndjeshëm sidomos në kulmin e sezonit. Në gusht 2025, një njësi banimi me qira ditore kushtonte 80 euro në Durrës dhe 76 euro në Golem, duke u renditur të dytat pas Vlorës dhe Sarandës. Në verë, rreth 60-70% e muajit është e zënë. Mesatarja e fitimit për Durrësin në vitin 2025 ishte 33.6 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 1007 eurosh. Për Golemin, shifrat ishin përkatësisht 34.2 euro/ditë dhe 1026 euro/muaj.
Shkodra: ylli i ri në ngjitje
Shkodra, duke ofruar det, mal, lumë, liqen, histori, kulturë, traditë dhe ushqim, është “zbuluar” së fundmi jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe nga vendasit. Shkodra renditet në vendin e katërt për nga popullariteti turistik në vend, pas Vlorës (+ Sarandës), Tiranës dhe Durrësit (+ Golemit), duke u bazuar në net-qëndrimet dhe të ardhurat nga qiradhënia ditore. Pronarët në Shkodër kanë arkëtuar 5.2 milionë euro në vitin 2025 nga dhënia e apartamenteve me qira ditore përmes Airbnb. Numri i njësive me qira pothuajse është dyfishuar nga 790 në janar 2024, në mbi 1500 në dhjetor 2025. Në korrik dhe gusht, një njësi banimi jepej me qira mesatarisht 65 euro/ditë. Gjatë muajve të tjerë, qiraja luhatet midis 40-50 euro/ditë. Apartamentet në verë ishin të zëna në 60% të kohës. Fitimet neto arrijnë rreth 40 euro në korrik dhe gusht, ndërsa jashtë sezonit janë më të ulëta, rreth 15-25 euro. Mesatarja e fitimit për Shkodrën në vitin 2025 është 25.8 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 773 eurosh, më e lartë se në kryeqytet.
Shëngjini: me kthim të lartë mujor
Shëngjini është një zonë bregdetare me zhvillim të shpejtë, e nxitur nga interesi i shtetasve të Kosovës për shkak të afërsisë gjeografike. Mesatarisht, rreth 750 njësi jepen me qira afatshkurtër përmes Airbnb, duke gjeneruar një total të ardhurash prej 1.5 milionë eurosh në vitin 2025. Çmimi maksimal i një nate me qira është në korrik dhe gusht, me 63-65 euro, periudhë kur mbi 60% e netëve janë të zëna. Mesatarja e fitimit për Shëngjinin në vitin 2025 është 26.8 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 805 eurosh, më e lartë se në kryeqytet, por pas Vlorës dhe Durrësit.
Qytetet e tjera
AirDNA ofron të dhëna të detajuara edhe për Korçën dhe Beratin, dhe për herë të parë ka përfshirë Elbasanin. Dhjetori është muaji më i ngarkuar për Korçën, ku festat e fundvitit tërheqin turistë vendas dhe të huaj. Fitimi neto arrin në 20 euro në ditë, ndërsa edhe në korrik e gusht është mbi 20 euro. Për muajt e tjerë, kthimi është mesatarisht 8-10 euro. Çmimet e qirave ditore në Korçë variojnë nga 40 euro në 50 euro në ditë. Të ardhurat totale për Korçën ishin gati 1.5 milionë euro. Mesatarja e fitimit për Korçën në vitin 2025 është 16.7 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 507 eurosh.
Më pak leverdi rezulton qiradhënia në Berat, ku, edhe pse çmimi për natë është rreth 40 euro, fitimi neto ditor është më i ulëti nga të gjitha qytetet e raportuara, me vetëm 7-20 euro. Në total, banorët e Beratit kanë arkëtuar 1.4 milionë euro nga qiradhënia afatshkurtër për vitin 2025. Mesatarja e fitimit për Beratin në vitin 2025 është 16.9 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 446 eurosh.
Elbasani është një tjetër qytet që ka filluar të tërheqë vëmendjen e turistëve, por arkëtimet totale mbeten të ulëta, në 350 mijë euro. Çmimi mesatar i qirasë varion nga 40-50 euro/natë dhe e ardhura reale 11-20 euro. Mesatarja e fitimit për Elbasanin në vitin 2025 është 15.88 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 477 eurosh.
“`
